Fatih Hafız Mehmet
06 Tetor 2016•Përditësim: 06 Tetor 2016
ANKARA (AA) – Anadolu Agency (AA) nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI). Marrëveshja u nënshkrua nga Redaktori i Përgjithshëm i Publikimeve dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Anadolu Agency (AA), Metin Mutanoğlu, ndërkohë që në emër të OBI-së nënshkroi Drejtoresha e Shërbimit të Informacioneve Maha Akeel.
Në ceremoninë e nënshkrimit që u organizua në tryezën editoriale të AA-së, krahas Mutanoğlu dhe Akeel, morën pjesë edhe Drejtori i Zhvillimit të Prodhimit dhe Biznesit nga Drejtoria e AA-së për Marketing dhe Zhvillim të Biznesit, Yunus Çelik, Drejtori i Paketës së Lajmeve nga Bota Islame, Yavuz Selim Kurt, si dhe Menaxherja për Zhvillim të Produkteve dhe Biznesit, Sabina Babayeva.
Mutanoğlu, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit, tha se “Paketa e botës islame është shumë e rëndësishme për ne, sepse kemi vlerësuar se ekziston një boshllëk i këtillë.”
Ndërkaq, duke rikujtuar se AA është agjencia më e madhe e Turqisë dhe burimi kryesor i lajmeve për median turke, Mutanoğlu theksoi se AA ka 1.500 abonues dhe bën publikime në dhjetë gjuhë të ndryshme jashtë turqishtes.
“Qëllimi ynë për vitin e ardhshëm, në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, është të fillojmë me shërbimin në gjuhën malajziane me qendër në Xhakarta dhe në gjuhën spanjolle me qendër në Kolumbi” njoftoi Mutanoğlu. Ai shtoi se AA po tregon potencialin e një marke botërore, sikurse Reuters, Associated Press dhe Agence France-Presse.
Duke folur për rëndësinë e informacionit dhe medias në kohën e fundit, Mutanoğlu tha se posaçërisht në krizat politike që po ndodhin dhjetë vitet e fundit në rajon, roli i medias ka treguar më shumë rëndësi.
“Pas Pranverës Arabe rajoni po ndryshon në mënyrë serioze. Në rajon ka një dinamizën të paparë. Po flasim për një rajon ku lufta gjithnjë mund të vijë në prag. Në këtë drejtim, media dhe komunikimi kanë rëndësi të madhe”, u shpreh ai.
Në lidhje me paketën e botës islame, Mutanoğlu tha se “Ne kemi nevojë për njërit-tjetrin. Përmes paketës së botës islame, ne duam t’i shtojmë kanalet e komunikimit me shtetet islame. Kjo gjë përkon edhe me qëllimet e OBI-së.”
Mutanoğlu më tej tha se paketa e botës islame është një paketë e formuar që ta shtojë këmbimin e informacioneve në botën e islame. “Bashkëpunimi me OBI-në për ne është kënaqësi e madhe dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të këtillë është shumë e rëndësishme për ne. Lusim Zotin që t’i vazhdojmë lidhjet tona duke i forcuar edhe më shumë”, theksoi Mutanoğlu.
Nga ana tjetër, Maha Akeel nga OBI tha se nënshkrimi i marrëveshjes paraqet nder për ta.
Duke theksuar se AA është agjenci e mirënjohur në botë, Akeel tha se është mjaft efikase publikimi i AA-së në 11 gjuhë.
Akeel vuri në pah se muslimanët përbëjnë një të pestën e popullsisë botërore, ndërsa OBI merret me çështje që kanë të bëjnë me muslimanët. “Kjo marrëveshje me AA-në është e rëndësishme për ne, sepse do të mundësojë që t’i ndjekim zhvillimet në lidhje me muslimanët”, vazhdoi Akeel.
Sipas saj, media ka rol të rëndësishëm në tema siç është islamofobia, duke shtuar se muslimanët paraqiten si të këqinj dhe se roli i tyre është ta ndryshojnë këtë imazh të keq.
Duke përmendur edhe Samitin e OBI-së që u mbajt në Stamboll në muajin prill, Akeel rikujtoi se Turqia e mbështet në mënyre aktive OBI-në prej një kohe të gjatë.
Gjatë ceremonisë, Mutanoğlu i dhuroi Akeel një vazo dhe librin e AA-së që rrëfen tentativën për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik.