Sultan Çoğalan,Nazlı Yüzbaşıoğlu
06 Janar 2017•Përditësim: 07 Janar 2017
ANKARA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu ka thënë se pas tentativës për grusht shteti nga Organizata Terroriste FETO më 15 korrik, përmes ambasadave, kryekonsullatave dhe misioneve diplomatike janë bërë aktivitete me qëllime informuese, duke shtuar se “Në nivel presidencial, ambasadorët tanë kanë realizuar 88 takime. Në nivel të kryeministrit janë realizuar 110 takime, ndërsa në nivel ministrash 816. Ndërkaq, në nivel të deputetëve janë bërë 1620 takime, kurse në nivel të zyrtarëve të lartë 6.707 takime”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu, në panelin editorial të AA-së, ka dhënë vlerësimet rreth zhvillimeve të fundit.
Duke dhënë informacione rreth përmasave të burimeve njerëzore të ministrisë në luftën kundër FETO-s dhe konkurseve që do të hapen vitin e ardhshëm, Çavuşoğlu tha se sikurse në çdo ministri dhe institucion, elementet e FETO-s janë infiltruar edhe në Ministrinë e Jashtme.

Më tej Çavuşoğlu potencoi se kanë siguruar informacione dhe prova për persona të dyshuar në lidhje me punësimet në ministri dhe arsimin jashtë vendit. Si rezultat i provave, siç tha Çavuşoğlu, janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me 406 persona.
Çavuşoğlu vuri në pah se përpiqen të sillen në mënyrë të drejtë dhe t’i vlerësojnë me përpikmëri ankesat e secilit. Ai tha se nga provat kanë vërejtur se disa persona, edhe pse familjet e tyre nuk kanë pasur asnjë lidhje me FETO-n, kanë qenë të përfshirë. “Ky sistem është i tillë, saqë i ndan fëmijët nga familjet e tyre. Jemi duke punuar në atë mënyrë që të mos i bëjmë padrejtësi askujt”, vazhdoi Çavuşoğlu.
Sipas Çavuşoğlu, aktualisht janë duke vazhduar analizat për 60-70 persona, ndërkohë që disa prej këtyre nuk janë kthyer nga jashtë, pra, siç tha Çavuşoğlu, kanë ikur.
Duke rikujtuar se vitin e kaluar 34 të dërguar në një komision të kryeministrisë ishin larguar nga detyra pas daljes së provave të qarta, Çavuşoğlu tha: “Duhet ta mbyllim deficitin tonë. Nga nëpunësit profesionalë dhe nëpunësit ekspertë në konsullata kemi larguar nga detyra një nga pesë persona. Kemi deficit, por edhe jemi duke u rritur. Ne po ndjekim politikë të jashtme të shumëanshme".
Ministri Çavuşoğlu bëri të ditur se këtë vit do të hapin konkurs për dy nëpunës profesionalë dhe dy nënpunës ekspertë në konsullata. “Konkursin nuk arritëm ta hapim në vitin 2016 për arsye të zhvillimeve pas 15 korrikut. Për këtë arsye, sivjet do të hapim nga dy konkurse. I pari do të jetë në shkurt, kurse tjetri në muajt e ardhshëm, mbase në korrik apo gusht”, theksoi Çavuşoğlu, duke shtuar se mendojnë të punësojnë mbi 100 nëpunës profesionalë dhe të paktën 120 nëpunës ekspertë të konsullatave.
- Lufta kundër shkollave të FETO-s jashtë vendit
Çavuşoğlu bëri të ditur se pas tentativës për grusht shteti nga FETO shtetet e tjera janë informuar në lidhje me zhvillimet dhe FETO-n. Ai shtoi se përmes ambasadave, kryekonsullatave dhe misioneve diplomatike autoriteteve të shteteve u janë dorëzuar të gjitha të dhënat dhe dokumentet.
Sipas Çavuşoğlu, nga këto takime janë arritur rezultate serioze. “Për shembull, në nivel presidencial, ambasadorët tanë kanë realizuar 88 takime. Në nivel të kryeministrit janë realizuar 110 takime, e nëse i marrim parasysh vendet e regjistruara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kjo përbën dy të tretat. Ndëkaq në nivel ministrash janë realizuar 816 takime, në nivel të deputetëve 620 takime, kurse në nivel të zyrtarëve të lartë 6.707 takime. Kjo dë të thotë se numri i takimeve zyrtare është afruar në dhjetë mijë, pra, ka kaluar mbi nëntë mijë”, tha Çavuşoğlu.
Ministri Çavuşoğlu njoftoi se përfaqësitë e jashtë të Turqisë kanë dhënë 2.388 deklarata me shkrim ose përmes mjeteve të komunikimit, kanë organizuar 249 konferenca për media, ndërkohë që janë shkruar mbi 500 artikuj dhe letra.
Duke potencuar se po ashtu janë duke vazhduar edhe punimet për marrjen e shkollave jashtë vendit nën kompetenca përmes Fondacionit Maarif, Çavuşoğlu tha se deri më sot janë mbyllur apo marrë nën kompetenca mbi 80 intitucione.
“Shumica janë marrë nën kompetenca. Të gjitha organizatat dhe institucionet e themeluara si shoqata apo organizata të shoqërisë civile janë duke u mbyllur. Megjithatë, ende jemi duke e vazhduar procesin marrjes së kompetencave nga shkollat në mënyrë që fëmijët dhe familjet e tyre të mos preken nga kjo”, vazhdoi Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu tha se Fondacioni Maarif ka filluar të transferojë nën kompetencat e saj shkolla në shumë shtete. Siç theksoi Çavuşoğlu, fondacioni ka marrë kompetencat e pesë shkollave në Guine, prej të cilave dy shkolla janë emërtuar me emrin e dëshmorit Ömer Halisdemir.
Më tej Çavuşoğlu vuri në pah se shkollat e FETO-s janë mbyllur në gjashtë shtete, në shtatë shtete kompetencat e shkollave i janë transferuar Fondacionit Maarif, ndërkohë që në dy shtete shkollat e FETO-s janë konfiskuar nga autoritetet e shteteve përkatëse, për të shtuar se 4-5 shtete janë në përgatitje që shkollat t’ia transferojnë Fondacionit Maarif.
“Në shumë vende është bërë mbyllja apo transferimi i kompetencave të shkollave, duke filluar nga Afrika në Azerbajxhan, Libi, Jordani, Republikën Dominikane e deri në Amerikën Latine dhe Haiti. Tani në Sudan dhe Pakistan kanë ndërruar kryesinë e tyre, i kanë konfiskuar. Edhe Sudani dëshiron t’ia transferojë Fondacionit Maarif. Në Pakistan ka dhjetë mijë nxënës. Pakistani ka bërë disa hapa në lidhje me mësimdhënësit dhe kryesinë e shkollave. Ne i mbështesim. Këtë proces do ta përfundojmë në periudhën në vijim”, u shpreh Çavuşoğlu.