Fatjon Cuka
15 prill 2016•Përditësim: 16 prill 2016
TIRANË (AA) - Panairi i 5-të Ndërkombëtar "Ndërtime" dhe Panairi i 2-të Ndërkombëtar “Klimathermika” janë hapur sot në Tiranë, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, për të mirëpritur vizitorët e interesuar për këto fusha, raporton Anadolu Agency (AA).
Janë 47 kompani të ndryshme nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Kosova, Greqia dhe Italia që do të ekspozojnë produktet e tyre për të gjithë të interesuarit dhe vizitorët përgjatë tre ditëve.
Në panairet në fjalë do të ketë edhe prezantime të ndryshme, kryesisht nga bota e ndërtimit me termoizolime, materiale ndërtimi, bojëra, por edhe korniza portash e dritaresh, ashensorë, etj, si edhe gjithë gama e klimatizimit për ftohje dhe ngrohje, ngrohje ekonomike, sisteme ajrimi dhe panele diellore.
%2F20160415_2_15513352_7688422.jpg)
Sipas organizatorëve është panairi i vetëm dhe më i plotë i këtij lloji dhe që organizohet në periudhën më të mirë kohore, me ekspozues dhe vizitorë nga të paktën 7 vende, duke patur si synim që të përbëjë epiqendrën e Ballkanit Perëndimor në të dyja fushat.
Për shkak të shitjeve dhe marrëveshjeve tregtare që realizohen për çdo vit, organizatorët konsiderojnë se kjo konfirmon se panairet në fjalë përbëjnë një event të rëndësishëm jo vetëm ekspozues, por edhe tregtar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Panairi i 5-të Ndërkombëtar "Ndërtime" dhe Panairi i 2-të Ndërkombëtar “Klimathermika” do të qëndrojnë të hapur deri më 17 prill.