Kerem Kocalar
20 Prill 2018•Përditësim: 20 Prill 2018
GAZIANTEP (AA) - Kryeredaktorët e agjencisë shtetërore të Turqisë Anadolu Agency (AA) në gjuhët ndërkombëtare u mblodhën në qytetin e Gaziantepit në pjesën jugore të Turqisë.
Kryeredaktorët që përfaqësojnë AA-në në katër anët e botës gjenden në Turqi në kuadër të "Takimit Vjetor të Kryeredaktorëve".
Gjatë vizitës në Gaziantep, kryeredaktorët u takuan me guvernatorin Ali Yerlikaya dhe kryebashkiaken Fatma Şahin. Ata u informuan rreth refugjatëve që kanë ardhur nga Siria në këtë qytet dhe në lidhje me vendet e çliruara në kuadër të operacionit antiterrorist Mburoja e Eufratit.
Guvernatori Yerlikaya tha se Gaziantepi kufizohet me Sirinë dhe gjatë shtatë viteve të fundit ka ofruar mbështetje për përmirësimin e jetesës në këtë vend.
Nga 3,5 milionë refugjatë që strehon Turqia, afër 500 mijë gjenden vetëm në Gaziantep, bëri të ditur Yerlikaya, duke vënë theksin mbi bujarinë e qytetit dhe sakrificën e banorëve të tij për refugjatët.
Guvernatori Yerlikaya tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e AA-së për median turke dhe botërore.
Ndërkaq, kryebashkiakja Şahin, po ashtu vuri theksin mbi bujarinë e qytetit për refugjatët në qytet, duke thënë se krahas aktiviteteve në kuadër të bashkisë, për refugjatët janë zhvilluar punime edhe në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin dhe integrimin social.
Aktualisht, krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, AA bën publikime edhe në gjuhën angleze, arabe, BHS (boshnjakisht, kroatisht, serbisht), ruse, frënge, kurde, perse, indoneziane dhe spanjolle.
AA publikon mesatarisht 1.650 lajme në ditë, 2.330 fotografi, 400 video, 15 transmetime të drejtpërdrejta dhe gjashtë infografikë.
Agjencia prodhon 63 për qind të fotografive që publikohen në gazetat në Turqi dhe 40 për qind të lajmeve.