Admir Fazlagikj
29 Maj 2016•Përditësim: 29 Maj 2016
SHKUP (АА) - Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë, Zoran Jolevski dje dhe sot mori pjesë në Mëngjesin e Lutjeve të Ballkanit i cili u mbajt në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë ditës së djeshme ai kishte fjalim në kuadër të sesionit kryesor lidhur me nevojën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe afrimit mes vendeve fqinje, njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë.
Poashtu, sipas kumtesës, gjatë ditës zhvilloi takime me përfaqësues nga Kongresi amerikan të cilët gjithashtu morën pjesë në këtë event, ndërsa u takua edhe me nënkryetarin e Parlamentit serb Vlladimir Marinkoviq dhe shumë pjesëmarrës tjerë nga rajoni.
"Gjatë ditës së djeshme u mbajt tryeza e rrumbullakët në Parlamentin e Serbisë, në të cilën temë kryesore ishte lufta kundër terrorizmit si kërcënim global. Në këtë tryezë të cilën e udhëhiqte Marinkoviq, pos ministrit Jolevski dhe ministrit serb të Mbrojtjes, ministrat e Brendshëm të Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës, kongresmenit amerikan Robert Aderholt, ish kongresmenët Bob McCoy, Xhim Sllateri, profesorë eminentë amerikanë, përfaqësues nga Bundestagu gjerman, Kosova si dhe ish ministri i Mbrojtjes të Shqipërisë, Fatmir Mediu me çka u dakordua që të forcohet bashkëpunimi në këtë fushë dhe njëkohësisht u dakordua që të përgatitet dokument i përbashkët me të cilin do të propozohen aktivitete konkrete të vendeve nga rajon në luftën kundër terrorizmit, ndërsa poashtu do të jepeshin edhe rekomandime vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve për mbështetje konkrete në këto përpjekje", thuhet mes tjerash.
"Ky takim është vazhdimësi e takimit i cili u mbajt në Kongresin amerikan në fillim të këtij viti, në të cilën folën senatorët McCoy dhe Einkauf dhe përfaqësues nga Evropa Juglindore. Nga ana e ministrit Jolevski është theksuar se është e domosdoshme që vendet nga rajoni të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit kundër këtij kërcënimi global. Njëkohësisht ai kërkoi që vendet e BE-së dhe SHBA-të të japin mbështetje konkrete në përpjekjet e vendeve të rajonit", thonë nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë me rastin e pjesëmarrjes së Jolevskit në Mëngjesin e Lutjeve të Ballkanit në Beograd.