Besar Ademi
02 Korrik 2016•Përditësim: 02 Korrik 2016
SHKUP (AA) – Me praninë e personaliteteve publike, kulturore dhe akademike në Republikën e Maqedonisë Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre” shtroi sofër iftari në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i qendrës kulturore “Yunus Emre” në Shkup, Mehmet Samsakçi, duke theksuar se sonte është Nata e Kadrit, shtoi se në një mbrëmje të këtillë kanë dëshiruar të shtrojnë një iftar të ngrohtë, modest dhe të sinqertë për diplomatët, akademikët, mediat, përfshirë edhe mysafirë të tjerë.
“Ditët e Ramazanit gjithmonë janë shkak për takime dhe kohëra kur ngjallen ndjenjat miqësore të njerëzve. Duke qenë të dëshpëruar me sulmet terroriste të fundit në Stamboll, e shtruam këtë sofër ku i bashkuam zemrat”, u shpreh Samsakçi, duke njoftuar se në këtë sofër kanë marrë pjesë rreth 200 persona.
Në iftarin e organizuar nga kjo qendër kulturore, në mesin e personave të shquar, akademikëve, zyrtarëve të Ambasadës turke, përfaqësuesve të kompanive dhe institucioneve turke në vend, mori pjesë edhe drejtori i Qendrës Kombëtare për Konservim, Mehmet Selmani.