Zülfiya Yakup
03 Maj 2016•Përditësim: 04 Maj 2016
PRISHTINË (AA)- Me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Shtypit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka organizuar sonte në Prishtinë pritjen për përfaqësuesit e mediave, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Thaçi me këtë rast uroi gazetarët për festën e tyre dhe tha se Kosova ka zhvilluar dhe do të vazhdojë edhe më tutje të zhvillojë klimë të mirë për punë të gazetarëve dhe shprehjes së lirë të mendimit.
Thaçi theksoi se Kosova ka zhvilluar edhe standardet botërore në mediat kosovare.
“Faleminderit gjithë juve që na keni kritikuar edhe këshilluar dhe juve që na keni falënderuar dhe shpresoj se të tillë do të jeni edhe në të ardhmen, ndërsa unë gjithmonë do të jemi me ju dhe do të jem partneri juaj kryesor edhe tani si president i vendit”, tha Thaçi.
Presidenti i Kosovës, para punonjësve të medias, si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës uroi për ditën e sotme historike në të cilën Kosova u pranua në UEFA.
“Shpresoj dhe besoj se Kosova pas një izolimi gati 30 vjeçarë fuqishëm do të startojë në ligat evropiane, por edhe në Kampionatin Botëror dhe kombëtarja e Kosovës do të jetë nga kombëtaret më të fuqishme në Evropë. Shpresoj se do të mbledhim një ekip të fuqishëm që do të ketë sukses dhe do të zhvillojë lojëra impresive”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi në fund theksoi se ka mbetur më pak se 24 orë para edhe një vendimi historik për Kosovën, rekomandimi për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, ashtu që kjo javë për Kosovën definitivisht do të jetë historike.