Malik Hasa
13 Korrik 2016•Përditësim: 13 Korrik 2016
TIRANË (AA) – Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) ka ndihmuar Bashkinë e Shijakut në Shqipëri me kompjutera, pajisje për fotokopje dhe pajisje të tjera të nevojshme për ambientet e kësaj bashkie, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e dorëzimit të pajisjeve ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar dhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë Prof. Dr. Birol Çetin zhvilluan një vizite në ambientet e Bashkisë së Shijakut, ku janë takuar edhe me Kryetarine e kësaj bashkie Ardian Kokomani.
Kryetari i Bashkisë Kokomani njohu ambasadorin Bayraktar me gjendjen e përkeqësuar të kësaj bashkie për shkak të përmbytjeve të shpeshta të lumit Erzen. Duke vënë në dukje nevojën për pajisjet elektronike dhe të tjera bazë në këtë bashki, ai ka falënderuar TIKA-n për mbështetjen e ofruar.
Ndërsa ambasadori Bayraktar duke vënë theksin tek marrëdhëniet e mira mes dy vendeve ka pohuar se janë të gatshëm ti qëndrojnë pranë Bashkisë së Shijakut për të bashkëpunuar në projektet e ardhshme.
Nga ana tjetër koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Prof. Dr. Birol Çetin në fjalën e tij u shpreh se ky projekt është vetëm fillimi i një bashkëpunimi me këtë bashki dhe ka theksuar rëndësinë dhe gatishmërinë për bashkëpunim në vazhdim.
Pas takimit kryetari i Bashkisë së Shijakut Kokomani i ka dorëzuar një certifikatë falënderimi koordinatorit Çetin si dhe një dhuratë ambasadorit Bayraktar e cila mbarte motivet tradicionale shqiptare.