Adel Ömeragiç
26 nëntor 2015•Përditësim: 26 nëntor 2015
PODGORICË (AA) - Që nga viti 2008, kur Mali i Zi filloi me zbatimin e rregulloreve të reja për lëshimin e dokumenteve të identifikimit, në nëntor të këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar për qytetarët 518 mijë e 29 letërnjoftime biometrike, raporton Anadolu Agency (AA).
Deri më tani, rreth 15 mijë qytetarë nuk kanë zëvendësuar letërnjoftimet e vjetra me dokumente të reja biometrike të identifikimit. Kështu, 15 mijë qytetarë, të cilët nuk kanë kartë të re identiteti, nuk mund të votojnë në zgjedhjet ose të ushtrojnë ndonjë të drejtë për realizimin e së cilës nevojitet ky dokument. Me këtë qytetarët janë vënë në një pozitë që të mos mund të funksionojnë në trafikun ligjor.
Në bazë të Ligjit për letërnjoftime, kartat e vjetra të identitetit mund të përdoren deri më 31 dhjetor 2012. Ligji përcakton se letërnjoftimi është dokumenti publik me të cilën dëshmohet identiteti, vendi dhe data e lindjes, vendbanimi i përhershëm apo i përkohshëm të një personi të zhvendosur dhe shtetësinë e Malit të Zi.
Qytetarët malazezë me letërnjoftime biometrike mund të hyjnë në Serbi, Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë, që do të thotë se kjo e drejtë nuk mund të realizohet nga ata që nuk e zëvendësojnë dokumentin personal.
Që nga fillimi i lëshimit të pasaportave sipas rregullave të reja, qytetarëve të Malit të Zi u janë lëshuar 421 mijë 977 pasaporta biometrike, me të cilat ata mund të udhëtojnë pa viza në 104 vende të botës.
Sa i përket dokumenteve që lidhen me pronësinë e mjeteve motorike, të dhënat tregojnë se në Mal të Zi 198 mijë e 539 persona fizik dhe juridik kanë regjistruar automjet. Nga këta, 126 mijë e 202 persona fizik janë pronarë të 165 mijë e 835 automjeteve.
Patentë shoferi të vlefshme në Mal të Zi posedojnë 263 mijë e 534 persona.