Ahmet Gürhan Kartal
04 janar 2021•Përditësim: 05 janar 2021
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka njoftuar një bllokim të ri kombëtar në Angli që do të hyjë në fuqi nga nesër dhe do të vazhdojë deri kah mesi i muajit shkurt, me qëllim për të frenuar numrin në rritje të rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij të katërt ndaj kombit që kur filloi pandemia, Johnson tha se lloji i ri i koronavirusit është "alarmues", pasi është i transmetueshëm nga 50 për qind deri në 70 për qind. Ai po ashtu theksoi se spitalet janë mjaft të shtrënguar, me mbi 20 për qind vdekje të regjistruara gjatë javës së fundit.
Më pas, kryeministri britanik njoftoi një bllokim të tretë kombëtar në Angli, duke u kërkuar njerëzve të "qëndrojnë në shtëpi".
Ndërkohë, autoritetet do të lejojnë disa përjashtime nga kufizimet, respektivisht shkuarjen në punë nëse obligimet e punës nuk mund të realizohen nga shtëpia, blerjen e ushqimit dhe ilaçeve, stërvitjen, kujdesin për një person të cenueshëm ose pjesëmarrjen në takime mjekësore.
Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe kolegjet do të kalojnë në mësimin në distancë deri në mes të shkurtit.
Johnson tha se shkollat nuk janë "të pasigurta" dhe se fëmijët "ka shumë të ngjarë" të mos sëmuren rëndë nga COVID-19, por megjithatë, shtoi ai, shkollat mund të "veprojnë si vektorë të transmetimit, duke shkaktuar përhapjen e virusit midis familjeve".
Johnson po ashtu njoftoi se qëllimi i tij është të tejkalojnë bllokimin nga mesi i muajit shkurt. Ai tha se deri në atë pikë qeveria do të mund të vaksinojë grupet më të cenueshme klinike, si dhe punonjësit shëndetësorë. Kjo, siç tha ai, do të lejojë qeverinë të lëvizë në mënyrë të qëndrueshme për ta larguar vendin nga bllokimi.
"Populli ka pasur më shumë sesa udhëzime të qeverisë për të mposhtur këtë virus, por ne duhet ta largojmë së bashku", tha Johnson.
"Fundi është afër, por qëndroni në shtëpi"
"Falë mrekullisë së shkencës, jo vetëm se fundi është afër, por edhe se ne e dimë saktësisht si do të arrijmë atje. Por tani kam frikë se duhet edhe një herë të qëndrojmë në shtëpi, të mbrojmë NHS-në (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit) dhe të shpëtojmë jetë", tha Johnson.
Të dhënat e qeverisë britanike të lëshuara së fundmi treguan se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 58.784 raste të reja në gjithë Mbretërinë e Bashkuar, shifër më e lartë ditore që nga shpërthimi i pandemisë.
Kjo ishte dita e shtatë me radhë që rastet tejkalojnë shifrën 50 mijë në ditë. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në mbi 2.71 milionë.
Po ashtu 407 persona të tjerë vdiqën nga koronavirusi brenda ditës së fundit, duke e çuar në 75.431 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga virusi.
Niveli i alarmit ngritet në 5, nivel më i lartë që nga shpërthimi
Para fjalimit të kryeministrit Johnson, katër zyrtarët kryesor mjekësor të Mbretërisë së Bashkuar, që secili përfaqëson njërin nga katër vendet e unionit, ngritën nivelin e alarmit të koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar nga 4 në 5, nivel më i lartë që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.
Sipas informacionit qeveritar, niveli 5 do të thotë se "ekziston një rrezik material që shërbimet e kujdesit shëndetësor të mbingarkohen".
Sistemi i nivelit të alarmit të koronavirusit është i ndarë nga sistemi i nivelit që funksionon në Angli.
Ministri i parë i Skocisë, Nicola Sturgeon, më herët gjatë ditës njoftoi një bllokim të plotë në të gjithë Skocinë dhe në shumicën e ishujve të saj nga mesnata e mbrëmjes së sotme deri në fund të janarit.
"Është thelbësore që të kufizojmë më tej bashkëveprimin midis familjeve të ndryshme për të ndaluar përhapjen dhe për ta kthyer situatën përsëri nën kontroll përderisa ne vaksinojmë më shumë njerëz", tha Sturgeon.
Sipas tij, vendi i tij për një periudhë duhet të kthehet në një "situatë shumë afër bllokimit të marsit të kaluar".