Ahmet Gürhan Kartal
04 maj 2020•Përditësim: 05 maj 2020
Autoritetet shëndetësore britanike kanë njëftuar se numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend është rritur në 28.734, që është një rritje prej 288 në 24 orët e fundit dhe njëkohësisht është numri më i ulët që nga fundi i muajit mars, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, njoftoi se numri i të infektuarve është rritur në 190.584, prej të cilëve 3.985 në 24 orët e fundit.
Hancock tha se gjatë ditës së kaluar në Mbretërinë e Bashkuar janë testuar 85.186 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të testuarve është afër 1.3 milionë.
"Në përgjithësi, ne kemi një numër më të vogël të të infektuarve të rinj gjatë fundjavës, ndërsa gjatë ditëve të punës ai numër rritet, gjë që e presim të ndodhë edhe këtë javë", tha Hancock.
Ai paralajmëroi se autoritetet britanike do të fillojnë të zbatojnë një sistem të monitorimit celular për të regjistruar kontaktet e njerëzve dhe se testimi i sistemit do të bëhet në Ishullin Wight me një popullsi prej 140 mijë banorëve.