Beyza Binnur Dönmez
23 qershor 2020•Përditësim: 23 qershor 2020
Pajisjet mjekësore të dhuruara nga Turqia në Paraguai arritën sot në vendin e Amerikës Latine, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së Paraguait, transmeton Anadolu Agency (AA).
Donacioni me vlerë 1,4 milion dollarë përfshin 100 mijë maska mjekësore/kirurgjikale, afro 30 mijë maska N95, 50 mijë veshje mbrojtëse, rreth 2 syze mbrojtëse, 50 mijë mbulesa këpucësh dhe 50 mijë doreza.
Ndihma u pranua përmes një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar më 6 maj në Ankara midis dy vendeve, me kërkesën e Paraguait.
"Më shumë se 281 mijë pajisje mjekësore u dhuruan nga Qeveria e Turqisë për të luftuar COVID-19. Falënderime të veçanta për Zonjën e Parë, Emine Erdoğan, për shfaqjen e bujarisë, mbështetjes dhe përzemërsisë ndaj vendit tonë", shkroi në rrjetet sociale zonja e parë e Paraguait, Silvana Abdo.
Përderisa numri i rasteve me COVID-19 stagnon ose bie në shumë pjesë të botës, virusi vazhdon të përhapet në rajonin e Amerikës Latine.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA, Paraguai ka 1.392 raste të konfirmuara, duke përfshirë 13 vdekje dhe 903 të shëruar.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Paraguait
Përkundër oqeanit midis tyre, Turqia dhe Paraguai kohët e fundit kuptuan potencialin e tyre të përbashkët ekonomik dhe tani janë të prirur të kompensojnë kohën e humbur.
Pas vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe takimit me homologun e tij nga Paraguai, Mario Abdo Benitez në dhjetor 2018, të dy udhëheqësit zhvilluan një miqësi të ngushtë dhe vendosën të hapnin ambasada në Ankara dhe Asuncion.
Lidhjet dypalëshe janë përmirësuar tashmë nga marrëveshje të ndryshme midis shoqatave tregtare të dy vendeve dhe OJQ-ve dhe vëllimi i tregtisë shumë shpejt pritet të tejkalojë gjysmë miliardë dollarë.