Ekip
21 Qershor 2020•Përditësim: 22 Qershor 2020
Pasi përfundoi gjendja e jashtëzakonshme në Spanjë, vendi ka rihapur pjesën më të madhe të kufijve të saj me Evropën dhe lejoi lëvizjen e lirë brenda vendit për herë të parë që nga mesi i muajit mars, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë konfirmoi një viktimë dhe 334 infeksione të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), shifër pak më e ulët nga dita e mëparshme.
Megjithatë, numri i rasteve të raportuara me COVID-19 gjatë shtatë ditëve të fundit, gjegjësisht 1.669, u rrit ndjeshëm krahasuar me shtatë ditët e mëparshme kur u raportuan 1.450 raste të zbuluara.
Gjithsej, konfirmoi Ministria e Shëndetësisë, në Spanjë pozitiv ndaj koronavirusit janë diagnostikuar 246.727 persona, prej të cilëve 28.323 kanë vdekur.
Pavarësisht rasteve ende aktive me COVID-19, qeveria e vendit po inkurajon spanjollët dhe të huajt për pushime verore në Spanjë.
Që nga sot, kufijtë e Spanjës janë të hapur me pjesën tjetër të Evropës dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke përjashtuar Portugalinë.
Në një njoftim gjatë ditës së djeshme, ministrja spanjolle e Punëve të Jashtme, Arancha Gonzalez Laya, tha se vizitorët britanikë nuk do të vendosen në karantinë pas mbërritjes.
"Ne po bëjmë këtë duke respektuar 400 mijë qytetarë britanikë që kanë një vendbanim të dytë në Spanjë dhe që po vdesin të përfitojnë nga shtëpitë e tyre në vendin tonë", tha Gonzalez për BBC News.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë së Madridit, Ignacio Aguado, kritikoi masat e sigurisë që u debutuan sot në Aeroportin e Madridit "Barajas", duke i cilësuar ato "absolutisht të pamjaftueshme".
Mbërritjet e reja nuk duhet të bëjnë testin për COVID-19, por ata duhet të plotësojnë një formë të re, të kalojnë në kontrollin e temperaturës dhe t'i nënshtrohen inspektimit vizual për simptoma.
Aguado tha se pasi që 40 për qind e personave me COVID-19 janë asimptomatikë, ato do të lejohen që të infektojnë persona të tjerë.
Brenda Spanjës, të gjithë kufijtë e brendshëm janë hequr. Zonat bregdetare dhe destinacionet e tjera turistike janë gjallëruar në valën e parë të vizitorëve nga disa nga qytetet më të mëdha qendrore të Spanjës, të tilla si nga Madridi.
Disa prej rajoneve bregdetare të Spanjës, përfshirë vendet si Galicia, Asturias dhe Murcia, kanë kaluar disa ditë pa regjistruar asnjë rast të ri të koronavirusit.