STAMBOLL (AA) - Ekspozita e parë e fotografive të shpërblyera në garën ndërkombëtare të fotolajmeve "Istanbul Photo Awards 2017", e cila u organizua nga Anadolu Agency (AA) për herë të tretë, të dielën u hap në Qendrën e Kulturës dhe Arteve Tophane-i Amire në Stamboll.
Në organizimin e ekspozitës është bashkangjitur edhe Akademia e Arteve Mimar Sinan (MSGSU), kurse në ceremoninë e hapjes mori pjesë dhe prefekti i Stambollit Vasip Şahin, i cili tha se AA është një nga agjencitë më rrënjësore në botë.
"Një institucioni të tillë gjithsesi që i takonte detyra të sjellë para opinionit produkte artistike që dalin duke bërë punën dhe duke prodhuar lajme. Dhe ata po e bëjnë atë ashtu siç duhet. Na njoftojnë edhe me anën estetike të raportimit", tha Şahin, duke falënderuar jurinë për punën e përpiktë dhe duke shtuar se fituesit e kësaj gare, rankohen me çmimet Pulitzer.
Kryesuesi i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Şenol Kazancı, kujtoi se në garë morën pjesë 3,025 njerëz nga më shumë se 100 vende me rreth 25.000 fotografi, duke përfshirë fotolajme të vetme apo serike më të mira në kategoritë lajm, portret, natyrë dhe mjedis.
Ai tha se juria tri ditë ka punuar në përzgjedhjen e fotografive dhe se janë zgjedhur fotografitë e 22 gazetarëve nga 17 vende.
Kazancı falënderoi mikpritësin, Akademinë e Arteve Mimar Sinan, dhe sponsorin Turkish Airlines (THY), si dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Siç tha ai, ekspozita që kanë hapur në Stamboll më pas do të hapet në Ankara, New York dhe Moskë.
"Më pas, ekspozitën do ta hapim në Ankara, në pranverë në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së në New York dhe në Moskë. Edhe pse gara jonë është në vitin e saj të tretë, mund të shohim se ajo është në një vend mjaft të shëndoshë për shkak të pozicionimit të saj të duhur. Me kënaqësi shohim se Istanbul Photo Awards është shndërruar në markë të Turqisë duke dalë tej agjencisë" tha Kazancı.
Kazancı rikujtoi se fotografia e vitit është zgjedhur fotografia "Largimi nga DEASH" nga autori Frederic Lafargue, të cilën e kishte shkrepur për revistën "Paris Match", duke e përgëzuar Lafarguen, i cili mori pjesë në hapjen e ekspozitës.
Ai gjithashtu rikujtoi se ato fotografi kanë marrë çmim nga kjo garë, më pas janë shpërblyer me çmimin prestigjioz Pulitzer.
"Ne besojmë se, përsëri, fotografia që këtu u shpall më e mira, do të shpërblehet me Pulitzer", tha Kazancı, i cili i theksoi të gjitha gjërat me të cilat përballen gazetarët në terren dhe mënyrën e tyre të transmetimit të ndjenjave për ata që nuk janë atje.
Alev İdrisoğlu, zëvendës-rektor i Akademisë së Arteve "Mimar Sinan", falënderoi AA-në për përpjekjet në garën në nivel botëror.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 16 prill.
Kujtojmë, në kategorinë "Lajme Serike", çmimin e parë e fitoi Aris Messinis, me serinë e fotografive të titulluara "Vdekja në Mesdhe", shkrepur për AFP.
Adam Pretty fitoi çmimin e parë në kategorinë "Fotolajm Tek në Sport" me fotografinë e titulluar "Nën sipërfaqe", e cila ishte shkrepur për "Getty Images", ndërsa në kategorinë e "Fotolajm serik në sport", fitues ishte Patrick Smith me serinë e fotografive të shkrepura po ashtu për "Getty images".
Mary Gelman, me serinë e fotografive që kishte për temë gratë viktima, fitoi çmimin e parë në kategorinë "Seri Portretesh", ndërsa juria nuk arriti të zgjedhë një fitues për kategorinë "Portret i Vetëm".
Fotoreporteri indonezian që punon për The New York Times, Kemal Jufri, ka fituar vendin e parë në kategorinë "Fotolajm Serik mbi Natyrën dhe Mjedisis" me fotografitë "Kujdesi për orangutangët jetimë", ndërsa Johnny Miller në kategorinë "Fotolajm i Vetëm mbi Natyrën dhe Mjedisin" me fotografinë "Fusha e Golfit Papua Sevgolum".
Juria i dha çmimin "Fotografi i ri" fotoreporterit të lirë që jeton në Gaza, Hosam Salem, për fotografinë e titulluar "Stërvitje në rrugë në Gaza".
Pas shpalljes së rezultateve të garës, më 24-25 mars në Stamboll u mbajt punëtoria "Istanbul Photo Awards Workshop", ku fotografët me famë botërore Yuri Kozyrev dhe Stanley Greene patën mundësi t'i shpalosin njohuritë e tyre para të pasionuarve të fotografisë. Seminari u ndoq nga 16 njerëz, fotoreporterë të AA-së dhe studentë nga Akademia e Arteve "Mimar Sinan".
Pas përfundimit të seminarit, më 26 mars u mbajt takimi me titull "Istanbul Photo Awards Talks" me Kozyrev dhe Greene.