Fatjon Cuka
09 mars 2019•Përditësim: 11 mars 2019
Shqipëria ka mirëpritur takimin me studentët ndërkombëtarë me temë: "Nga Lindja në Perëndim për një botë të drejtë", që është pjesë e Takimit të 12-të të Studentëve Ndërkombëtarë që do të organizohet në 91 qytete në 51 shtete, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e zhvilluar në Universitetin New York Tirana të Fondacionit Turk Maarif, nga Federata e Shoqatave të Studentëve Ndërkombëtare (UDEF) në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi (TUMED), të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, pedagogë, studiues dhe studentë nga vende të ndryshme të botës.
Anadolu Agency (AA) është "Partner Global i Komunikimit" në Takimin e 12-të të Studentëve Ndërkombëtarë që do të organizohet mes datave 1 shkurt - 4 maj 2019.
Zv.ambasadori i Turqisë në Tiranë, Muammer Hakan Cengiz, tha në fjalën e tij se UDEF me të gjitha organizimet që ka bërë, ka arritur të ketë bashkëpunim ndërmjet universiteteve dhe minimizojë problemet midis studentëve ndërkombëtarë. "Studentët ndërkombëtarë në ditët e sotme kanë ardhur duke u rritur dhe Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm për këtë. Shembulli më i mirë që kemi këtu jeni ju studentë që jeni diplomuar në Turqi dhe jeni rasti më i mirë për t'u treguar", theksoi Cengiz.

Koordinatori Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, duke folur rreth fondacionit tha "Fondacioni Turk Maarif ka hapur 270 shkolla në 34 vende nga 72 vende me të cilat ka pasur kontakt, dhe ka arritur të ketë rreth 30 mijë studentë. Fondacioni Turk Maarif me shkollat që ka hapur në Shqipëri para 6 muajsh ka filluar arsimimin që në nivelin parashkollor deri në nivelin doktoraturë. Me licencën e marrë për kopshtin do të fillojmë të kemi të hapur edhe kopshtin në vazhdimësi", tha Cankurt.
Përfaqësuesi i UDEF-it, Mehmet Yılmaz, gjatë fjalës së në aktivitet tha qëllimi i kësaj organizate është për të ndërtuar një platformë ku studentët mund të njihen me njëri-tjetrin.
"Qëllimi themelor i UDEF-it është që të presë studentët ndërkombëtarë që preferojnë vendin tonë për të studiuar, për të ndërtuar një platformë ku mund të njihen me njëri-tjetrin, të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre, të përmbushin nevojat e tyre edukative, materiale dhe shpirtërore dhe të bëhen individë që përhapin urtësinë e tyre rreth botës. Gjithashtu, është një federatë që e ka vendosur si një mision për t'u marrë me çështjet e shëndetit, sigurisë dhe edukimit të studentëve ndërkombëtarë dhe për të bashkëpunuar me institucionet qeveritare për të zgjidhur këto probleme", tha Yılmaz.
Yılmaz, duke përcjellë edhe përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, shtoi gjatë fjalës së tij se "Ne duam që paqja dhe vëllazëria të mbizotërojnë në të gjithë botën. Ashtu siç takohemi këtu tani dhe e ndajmë gëzimin e njëri-tjetrit, ne do të donim të bashkohemi në të njëjtën mënyrë për të ndarë dhe rritur artin tonë, marrëdhëniet tona tregtare dhe kulturën tonë".
Kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi nga Shqipëria, Egert Haxhiu, foli rreth ndihmës së shtetit turk me anë të bursave për studentët shqiptarë. "Deri më sot 3000 shtetas shqiptarë janë arsimuar në Turqi. Momentalisht janë afërsisht 1100 studentë shqiptarë që po ndjekin studimet e tyre në Turqi në nivele të ndryshme si bachelor, master apo doktoraturë. Vetëm këtë vit 650 kandidatë nga Shqipëria kanë aplikuar për të ndjekur studimet e tyre në Turqi me ane të bursave që akordon Qeveria e Turqisë për studentët e huaj", tha Haxhiu.
Në takim e sotëm është diskutuar mbi problematikat e studentëve që studiojnë në vendet ku ndodhen, nismat që mund të ndërmerren për zgjidhjen e problemeve në arsim që hasin studentët ndërkombëtarë dhe tema të tjera, si dhe janë bërë prezantime nga studentët ndërkombëtarë për shtetet e tyre.
Gjatë aktivitetit studentët pjesëmarrës nga Shqipëria, Italia, Katari dhe Libia kanë prezantuar shtetet e tyre.