Fatjon Cuka
01 Qershor 2026•Përditësim: 01 Qershor 2026
Në Shqipëri është shfaqur filmi "Gulizar", një produksion nga Turqia dhe Kosova, në kuadër të Festivalit të Filmit "Dea Open Air", raporton Anadolu.
Filmi është shfaqur me mbështetjen e Institutit "Yunus Emre"-Tiranë, në ambientet e amfiteatrit të Universitetit të Arteve në Tiranë, ku, përveç artdashësve, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve dhe studentë.
Në ditën e parë të festivalit, gjatë shfaqjes së filmit "Gulizar", ishte e pranishme regjisorja e filmit, Belkis Bayrak, ndërkohë që sipas institutit, aktori Bekir Behrem do të jetë i pranishëm në festival gjatë ditëve në vijim.
Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit "Dea Open Air" do të zhvillohet në Tiranë në datat 1-5 qershor me moton "Qiell i hapur-mendje të hapura".
Programi e sivjetshëm përfshin dhjetëra filma nga vende të ndryshme të botës, të ndarë në tri seksione konkurruese: Filmi me Metrazh të Gjatë, Filmi i Shkurtër dhe Filmi Studentor.
Sipas organizatorëve, gjatë festivalit do të shfaqen 40 filma nga 25 vende të botës, si dhe do të organizohen edhe takime me artistët dhe aktivitete të tjera.
Festivali organizohet me mbështetjen e institucioneve të fushës së kulturës dhe organizatave të ndryshme.