Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
19 Prill 2022•Përditësim: 20 Prill 2022
Turqia kritikoi politikanin suedez të së djathtës ekstreme, Rasmus Paludan, për djegien e librit të shenjtë musliman, Kuranin, dhe tha se "lëvizje të tilla neo-naziste kanë çuar në rritjen e islamofobisë", raporton Anadolu Agency (AA).
Duke nxitur bashkëpunimin kundër çdo forme të racizmit dhe retorikës anti-islame, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij hungarez Peter Szijjarto tha se sulmet ndaj xhamive dhe djegia e Kuranit nuk kanë të bëjnë fare me lirinë e shprehjes.

Të enjten, udhëheqësi i grupit të ekstremit të djathtë Stram Kurs (Hard Line), Rasmus Paludan, dogji një kopje të librit të shenjtë musliman në qytetin jugor Linkoping të Suedisë, sipas raporteve të mediave.
Paludan gjithashtu kërcënoi se do të digjte kopje të Kuranit gjatë mitingjeve ekstremiste.
Pas provokimit, mediat lokale shkruajnë se protestat kanë vazhduar në disa pjesë të vendit.
Tre persona u plagosën të dielën në qytetin lindor të Suedisë, Norrkoping, kur policia thuhet se qëlloi mbi protestuesit gjatë protestave kundër djegies së Kuranit.
Kryediplomati turk Çavuşoğlu është nikoqir i homologut hungarez, ndërsa më herët ishin pjesë e ceremonisë së vënies së themeleve të ndërtesës së re të Ambasadës Hungareze në Ankara.