Shpetim Hiseni
30 qershor 2026•Përditësim: 30 qershor 2026
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në Konferencën për Mbështetjen e BE-së për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Gjykata Evropiane e Audituesve, ku ka mbajtur fjalimin në emër të Shqipërisë, transmeton Anadolu.
Sipas një postimi nga Hoxha në rrjetin social amerikan X, ai ka theksur rëndësinë strategjike të zgjerimit të BE-së, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe rolin e reformave dhe investimeve në përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Sipas tij, zgjerimi i BE-së nuk është më një aspiratë e largët, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës.
Hoxha tha se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e Evropës janë të pandashme, duke theksuar se gjeografia, interesat e përbashkëta dhe vlerat e përbashkëta e bëjnë zgjerimin të domosdoshëm.
Ai u shpreh se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është projekt kombëtar dhe udhërrëfyes i reformave dhe politikës së jashtme.
Ministri vlerësoi Planin e Rritjes së BE-së si dëshmi se kur ka vullnet politik, Evropa mund të përshtatet dhe të japë rezultate, ndërsa theksoi se instrumenti i Reformave dhe Rritjes shpërblen rezultatet dhe jo premtimet.
Ai më tej tha se Shqipëria ka përfituar tashmë 212,8 milionë euro, shuma më e lartë në Ballkanin Perëndimor, përmes zbatimit të suksesshëm të reformave.
Hoxha theksoi nevojën për më shumë parashikueshmëri dhe qartësi mes reformave të Planit të Rritjes dhe procesit të anëtarësimit në BE, gjë që, sipas tij, do të kontribuojë në rritjen e ritmit dhe cilësisë së zbatimit.
Ai shtoi se përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, reformat dhe investimet forcojnë njëra-tjetrën, duke përshpejtuar konvergjencën me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, zgjerimi është përgjegjësi e përbashkët: vendet kandidate duhet të vazhdojnë reformat, ndërsa BE-ja duhet të sigurojë që progresi real të njihet dhe shpërblehet, duke theksuar se besueshmëria dhe besimi janë thelbësore.