Fatjon Cuka
20 Shtator 2022•Përditësim: 20 Shtator 2022
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ndërsa është nënshkruar edhe memorandumi i bashkëpunimit mes dy parlamenteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e përbashkët për mediat pas takimit, Nikolla tha se takimi me homologun e Kosovës ishte një takim rikonfirmues i bashkëpunimit "të shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve dhe midis dy kuvendeve".
"Bashkëpunimi intensiv dhe produktiv midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj legjislature është konkretizuar në 18 vizita pune në Prishtinë dhe në Tiranë. Bashkëpunimi po vijon edhe midis delegacioneve të përhershme për dakordimin e qëndrimeve në organizatat ndërkombëtare. Ky bashkëpunim prej ditës së sotme do të mbështetet edhe në memorandumin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës", tha Nikolla.
Kryeparlamentarja Nikolla theksoi se sot diskutuan edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët të të dy kuvendeve në nëntor, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Duke iu referuar rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në korrik të këtij viti “mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, Nikolla u shpreh: "I kemi kërkuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën e vitit 2011, të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës."
-“Të gjitha institucionet e shtetit shqiptar i kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës”
Konjufca theksoi se të gjitha institucionet të shtetit shqiptar i kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës.
"Natyrisht që arritjet dhe bashkëpunimi është i thellë, por të mos harrojmë që edhe sfidat nuk janë të vogla. Sfidat janë serioze meqenëse sidomos pas shkurtit të këtij viti mund të themi që bota është me pasigurt se më parë. Në të njëjtën kohë, agresioni i papranueshëm i Rusisë mbi popullin liridashës ukrainas ka nxitur si kurrë më parë unitetin e botës demokratike", tha Konjufca.
Konjufca theksoi se Republika e Kosovës e ka një proces të vështirë përpara, që është sipas tij “relacioni me shtetin serb”.
"Serbia, duhet ta dije çdo shqiptar, që është shumë armiqësore ndaj Republikës së Kosovës dhe këtë nuk e kemi zgjedhur ne, këtë e ka zgjedhur elita udhëheqëse politike, shtetërore serbe e cila e mohon pavarësinë e Kosovës, e cila e lufton pavarësinë e Kosovës", u shpreh Konjufca.
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar nga Nikolla dhe Konjufca synon zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës në fushat e ligjbërjes, përafrimin e legjislacionit të të dyja vendeve dhe të secilit vend me legjislacionin e Bashkimit Evropian, intensifikimin e diplomacisë parlamentare për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e pozitës së saj në marrëdhëniet dhe organizatat ndërkombëtare.