Besar Ademi
15 Tetor 2017•Përditësim: 15 Tetor 2017
SHKUP (AA) – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë përmes një konferencë shtypi bëri të ditur se procesi i zgjedhjeve lokale në Maqedoni deri në mesditë është zhvilluar pa probleme serioze ose shkelje të rënda të rendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i MPB së,Toni Angelovski, theksoi se policia është në terren dhe vazhdimisht është duke mbikëqyr procesin e votimit. Siç tha ai, janë raportuar shtatë raste për ryshfet, ndërsa në 20 vende votimi është ndërprerë për arsye teknike dhe pastaj ka vazhduar rregullisht.
Ai shtoi se vetëm në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” në komunën e Butelit ka pasur një mosmarrëveshje verbale dhe përpjekje për përplasje fizike, por sipas tij, rasti nuk kishte të bënte fare me zgjedhjet.
Ndërkohë, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftuan se pjesëmarrja në votim deri në orën 13:00 në tërë territorin e Maqedonisë, sipas të dhënave të marra nga komisionet komunale, është 27,11 për qind.
Sot në orën 07:00u hapën qendrat e votimit me çka filluan zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të drejtën e votës deri në orën 19:00 në mbrëmje do të mund ta shfrytëzojnë 1.814.644 zgjedhës të cilët do të mund të votojnë për 260 kandidatët për kryetar komunash, si dhe për 6.627 kandidatët për këshilltarë komunal nga gjithsej 372 lista të ndryshme.
Raundi i parë i zgjedhjeve të gjashta lokale në Maqedoni do të realizohet në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor.