Besar Ademi
13 Korrik 2016•Përditësim: 14 Korrik 2016
SHKUP (AA) – Përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, pasditën e sotme kanë filluar bisedimet në përpjekje për të arritur një zgjidhje për çështjet e mbetura pezull nga Marrëveshje e Përzhinos, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve brenda negociatave të cilat shoqërohen nga ambasadori i BE-së dhe SHBA-së në vend, Aivo Orav dhe Jess Baily, palët janë afër finalizimit të dy çështjeve të hapura, pastrimit të listës zgjedhore dhe reformave në media, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete.
Siç thonë negociuesit të cilët ndihen optimist për një marrëveshje të shpejtë, çështja e pastrimit të listës zgjedhore tashmë është dakorduar dhe për 40 mijë votuesit të cilët LSDM-ja kërkon të fshihen, do t’u jepet një afat i caktuar që të paraqiten në Komisionin Shtetëror Zgjedhor për të dëshmuar të drejtën e votës, në të kundërtën do të fshihen nga lista zgjedhore. Ndërsa për 170 mijë votuesit e diasporës është diskutuar që të vendosen në një listë të veçantë.
Për çështjen e reformave në media diksutime ka rreth formimit të një trupi rregullator që do t’i monitorojë dhe sanksionojë mediat gjatë periudhës së zgjedhjeve. Në bisedime flitet edhe për mundësinë e mbajtjeve të zgjedhjeve në muajin dhjetor të këtij viti, mirëpo së pari formimin e një qeverie teknike e cila do të ketë mandat 100 ditësh, ndërsa nëse formimi i qeverisë teknike vonohet nuk përjashtohet edhe mandat 6 mujor i saj.
Pas bisedimeve disa orëshe, përfaqësuesit e partive politike u larguan nga rezidenca e BE-së për t’u konsulltuar me partitë e tyre, ndërkohë paralajmëruan se do të kthehen përsëri sonte për të vazhduar bisedimet. Nënkryetare e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, tha se nuk ka ndonjë marrëveshje konrete dhe gjithçka mbetet e hapur, por shprehu shpresë se sonte do të arrihet marrëveshje.