Në Mbretërinë e Bashkuar filloi Samiti i parë global i sigurisë së inteligjencës artificiale (IA), raporton Anadolu.
Organizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, samiti po mbahet nën masa të rrepta sigurie në Bletchley Park pranë qytetit Milton Keynes, ndërsa ministrat e teknologjisë nga shumë vende po diskutojnë avantazhet e IA-së, duke përfshirë zbulimin transformues dhe avancues të ilaçeve, transport më të sigurt dhe më të pastër, përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe përshpejtimin dhe përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve.
Samiti i sigurisë së IA "do të fokusohet në mënyrën se si të menaxhohen më së miri rreziqet nga avancimet më të fundit në IA", thuhet në një deklarate të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri britanik Rishi Sunak ka paraqitur qëllimet e samitit si dakordimi mbi rreziqet e IA dhe informimi se si mund të menaxhohen ato, një bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar dhe se si inteligjenca artificiale e sigurt mund të përdoret për mirë në shkallë globale.
Sunak tha se ai do t'u bashkohet përfaqësuesve botërorë dhe liderëve të biznesit "për të çuar përpara këto bisedime të rëndësishme".
“Ne do të diskutojmë se si duket IA në pesë vitet e ardhshme dhe veprimet që do të duhet të ndërmarrim për të siguruar që ajo të zhvillohet në mënyrë të sigurt, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë”, shtoi ai.
Fjalime hyrëse
Michelle Donelan, sekretarja britanike e shtetit për shkencën, inovacionin dhe teknologjinë, tha në fjalën e saj hapëse të samitit se bota ishte e befasuar nga avancimi që ka parë në fushën e IA.
Ajo tha se sistemet e inteligjencës artificiale, të cilat janë miratuar gjerësisht në të gjithë botën, “mund të mbështesin njerëzit kudo nga puna e lodhshme dhe të përforcojnë aftësitë tona krijuese”.
Ajo argumentoi se kjo mund t'i ndihmonte edhe shkencëtarët në zbulimet e reja, "duke hapur derën për një botë potencialisht rreth sëmundjeve si kanceri dhe me qasje në energji të pastër pothuajse të pakufishme".
"Por ajo gjithashtu mund të përqendrojnë edhe pushtetin e papërgjegjshëm në duart e disave ose përdorimin e saj me qëllim të keq për të minuar shoqërinë, për të rrënuar sigurinë publike ose për të kërcënuar sigurinë ndërkombëtare", tha më tej sekretarja britanike.
Donelan nënvizoi gjithashtu se duhet mbajtur mend se “IA nuk është ndonjë fenomen natyror që po na ndodh, por është një produkt i krijimit njerëzor për të cilën kemi fuqinë ta formësojmë dhe drejtojmë”.
"Ndërsa sot, ne do të ndihmojmë në përcaktimin e trajektores së kësaj teknologjie për të garantuar sigurinë publike dhe që njerëzimi të lulëzojë në vitet në vijim", shtoi ajo.
Gjatë Samitit do të diskutohet për sigurinë e IA, duke përfshirë rreziqet për sigurinë globale dhe rreziqet e sigurisë nga avancimi i paparashikueshëm nga humbja e kontrollit dhe integrimi i kësaj teknologjie brenda shoqërive tona, shtoi Donelan.
Samiti i dytë dhe i tretë i sigurisë së IA do të mbahen në Korenë e Jugut pas gjashtë muajsh dhe më pas në Francë pas një viti, bëri të ditur ajo.
Mbreti Charles III
Duke u lidhur me samitin përmes një video-lidhje, Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar tha se “rritja e shpejtë e inteligjencës artificiale të fuqishme konsiderohet nga shumë prej mendimtarëve më të mëdhenj të epokës sonë si jo më pak domethënëse, jo më pak e rëndësishme sesa zbulimi i energjisë elektrike, ndarja e atomit, krijimi i rrjetës mbarëbotërore, apo edhe shfrytëzimi i zjarrit”.
"IA ka potencialin për të transformuar plotësisht jetën pasi ne e dimë se na ndihmon të trajtojmë më mirë dhe ndoshta edhe të kurojmë rrethana si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe Alzheimeri", shtoi ai.
Mbreti tha se duhet bashkëpunuar për të luftuar rreziqet e rëndësishme, ku IA vazhdon të avancojë me shpejtësi gjithnjë e më të madhe drejt modeleve që mund të kapërcejë aftësitë njerëzore, madje edhe të kuptuarit njerëzor.
"Ekziston një imperativ i qartë për të siguruar që kjo teknologji me zhvillim të shpejtë të mbetet e sigurt”, theksoi ai
Deklarata
Deklarata e nënshkruar nga 28 vende tha se bashkëpunimi dhe agjenda për adresimin e kufirit të rrezikut të IA do të fokusohet në "identifikimin e rreziqeve të sigurisë së IA me interes të përbashkët, ndërtimin e një kuptimi të përbashkët shkencor dhe të bazuar në prova të këtyre rreziqeve dhe mbështetjen e këtij kuptimi pasi aftësitë vazhdojnë të rriten në kontekstin e një qasjeje më të gjerë globale për të kuptuar ndikimin e IA në shoqëritë tona”.
Më tej thuhet se fokusi gjithashtu do të jetë në “ndërtimin e politikave përkatëse të bazuara në rrezikun në të gjitha vendet tona për të garantuar sigurinë në vazhdën e rreziqeve të tilla, duke bashkëpunuar sipas nevojës duke pranuar se qasjet tona mund të ndryshojnë në varësi të rrethanave kombëtare dhe kornizave ligjore të zbatueshme".
“Kjo përfshin, përveç rritjes së transparencës së aktorëve privatë që zhvillojnë aftësi të kufizuara të IA, matjet e duhura të vlerësimit, mjetet e testimit të sigurisë dhe zhvillimin e aftësive përkatëse të sektorit publik dhe kërkimit shkencor”, thuhet gjithashtu në deklaratë