Mücahithan Avcıoğlu
18 shtator 2026•Përditësim: 18 shtator 2026
Prodhuesi amerikan i çipave "Nvidia" pret të shesë dy herë më shumë çipa vitin e ardhshëm sesa këtë vit, tha të enjten drejtori ekzekutiv Jensen Huang, duke iu referuar kërkesës së fortë për inteligjencën artificiale në industri dhe ekonomi të ndryshme, transmeton Anadolu.
"Pres që 'Nvidia' të shesë dy herë më shumë çipa vitin e ardhshëm sesa këtë vit", u tha Huang gazetarëve para një samiti për IA me Mbretin Charles III të Britanisë së Madhe në Skoci.
"Arsyeja për këtë është se IA-ja po sjell shumë përfitime në industri dhe ekonomi të ndryshme dhe këtë mund ta shihni pothuajse në çdo vend ku jemi. Njerëzit duan të investojnë në IA", tha ai.
Parashikimi sinjalizon zgjerim të shpejtë të vazhdueshëm të gjigantit të gjysmëpërçuesve gjatë gjashtë tremujorëve të ardhshëm. "Nvidia" së fundmi parashikoi rritje të të ardhurave prej 70 për qind për vitin fiskal që përfundon në janar 2028, duke e çuar potencialisht të ardhurën vjetore në rreth 673 miliardë dollarë.
Kompania nuk publikon numrin e përgjithshëm të çipave që shet. Produktet e saj më të njohura janë njësitë e përpunimit grafik për qendrat e të dhënave, përfshirë çipat Blackwell dhe Rubin, të cilët përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të avancuara të IA-së.
Huang tha vitin e kaluar se "Nvidia" kishte dërguar 6 milionë GPU Blackwell gjatë katër tremujorëve.
Përveç GPU-ve, "Nvidia" prodhon njësi qendrore të përpunimit, çelësa për rrjetet, çipa për rrjetet optike, procesorë për laptopë, sisteme Jetson për robotë dhe automjete si dhe procesorin e përdorur në konsolën Nintendo Switch 2.