Mehmet Tosun
16 Qershor 2021•Përditësim: 16 Qershor 2021
Turqia administroi të martën mbi 1.2 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, transmeton Anadolu Agency (AA).
Numri i dozave të vaksinave të administruara të martën shënoi një rekord në përpjekjet e fushatës së vaksinimit në Turqi.
Turqia ka administruar mbi 35.86 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 që kur nisi fushatën e vaksinimit masiv në mes të janarit, përfshirë dozat e para për gati një të katërtën e popullsisë së vendit prej rreth 83.6 milionë banorë, tha ministria.
Ministria konfirmoi gjithashtu 5.955 raste të reja me koronavirus, përfshirë 532 pacientë simptomatikë, në të gjithë vendin në 24 orët e fundit. Numri i rasteve të reja të hënën ishte 5.626.
Numri i përgjithshëm i rasteve tani është mbi 5.34 milionë ndërsa numri i të vdekurve në të gjithë vendin ka arritur në 48.879 me 84 viktima të reja.
Rreth 4.186 pacientë të tjerë fituan betejën kundër virusit, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 5.21 milionë.
Që nga dhjetori 2019, pandemia e koronavirusit ka marrë mbi 3.8 milionë jetë në të gjithë globin, me më shumë se 176.4 milionë raste të raportuara në të gjithë botën, sipas Universitetit "Johns Hopkins" me bazë në SHBA.