Can Erözden
12 Korrik 2023•Përditësim: 14 Korrik 2023
Barcelona konfirmoi transferimin e sulmuesit brazilian Vitor Roque, transmeton Anadolu.
"FC Barcelona dhe Club Athletico Paranaense kanë arritur një marrëveshje për transferimin e lojtarit Victor Hugo Roque Ferreira, i njohur ndryshe si Victor Roque", thuhet në deklaratën e Barcelonës.
"Lojtari pritet t'i bashkohet klubit në sezonin 2024/25 dhe do të nënshkruajë një kontratë deri në sezonin 2030/31 me një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh" thuhet më tej.
Roque, në një video të postuar në llogarinë e Barcelonës në Twitter, tha se është shumë i lumtur që ka nënshkruar me klubin.
"Ëndrra ime u bë realitet. Tigrinho po vjen në Barcelonë. Shihemi së shpejti. Forca Barca!", deklaroi ai.
Talenti 18-vjeçar ka luajtur për klubet braziliane Cruzeiro dhe Athletico Paranaense për të cilët shënoi 22 gola në 66 ndeshje.
Në shkurt, Roque udhëhoqi Brazilin drejt titullit U-20 të Amerikës së Jugut, duke shënuar gjashtë gola, ku u zgjodh si golashënuesi më i mirë.
Roque është nënshkrimi i tretë i Barcelonës këtë verë pas mesfushorit gjerman Ilkay Gündoğan nga Manchester City dhe mbrojtësit spanjoll Inigo Martinez nga Athletic Bilbao.