Kemal Zorlak
27 Nëntor 2022•Përditësim: 28 Nëntor 2022
Kombëtarja e Marokut shënoi fitore sot ndaj kombëtares së Belgjikës me rezultatin 2:0 në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit "F" të Kampionatit Botëror në Futboll "Katar 2022", raporton Anadolu Agency (AA).
Në pjesën e parë të ndeshjes e cila u luajt në stadiumin "Al-Thumama" në Doha, statistikat ishin në anën e Belgjikës. Skuadra e trajnerit Roberto Martinez kishte dukshëm më shumë posedim të topit. Në disa raste marokenët ishin jashtëzakonisht të shpejtë dhe treguan se sa të rrezikshëm mund të jenë në kundërsulme.
Në 45 minutat e para nuk pati gola por në minutat shtesë marokenët shënuan gol nga gjuajtja e lirë, por goli u anulua pas reagimit nga dhoma e VAR-it.
Në minutën e 52-të të ndeshjes, Eden Hazard tentoi të rrezikojë portën e marokenëve por pa rezultat. Më pas lojtari i Marokut, Sofiane Boufal gjuajti shkëlqyeshëm në minutën e 57-të, por topi kalo përreth shtyllës.
Në minutën e 73-të, lojtari rezervist Abdelhamid Sabiri, shtatë minuta pas hyrjes në lojë, nga një goditje dënimi kaloi në epërsi Marokun. Fitorja u vulos në minutën e 92-të pas një aksion fantastik ku Zakariah Aboukhlal shënoi për fitoren 2:0 ndaj Belgjikës.
Pas ndeshjes së parë të xhiros së dytë në Grupin "F", Maroku është i pari me katër pikë, Belgjika është e dyta me tre, Kroacia është e treta me një pikë dhe Kanadaja është e fundit pa pikë.