Prishtinë (AA) - Kosovë – Oman do të jetë ndeshja e katërt miqësore ndërkombëtare e Kosovës, pas dueleve me Haitin, Turqinë dhe Senegalin, ku FIFA i ka dhënë leje FFK-së që përfaqësuesja e vendit tonë të zhvilloj ndeshjet ndërkombëtare me karakter miqësor. Kjo ndeshje do të luhet në kryeqytet, të dielën me 7 shtator, me fillim nga ora 16:00, në stadiumin e Prishtinës.
Në prag të kësaj ndeshjeje, zyrtarët e FFK-së, kanë organizuar konferencë për media. Prezent ishin kryetari i federatës, Fadil Vokrri dhe selektori Albert Bunjaku.
Duke përshëndetur të pranishmit, Vokrri foli për rëndësinë e momentit në të cilin gjendet futbolli kosovar i cili e ka rritur intensitetin e punës me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtarë, pandaj, në këtë frymë, jo vetëm ndeshja e Kosovës me Omanin por edhe dueli që FC Prishtina e zhvillon një ditë më herët me Sivassporin, po ashtu në kryeqytet, janë të rëndësisë së posaçme.
“Mendoj se ndeshjet e reprezentacionit janë të posaçme dhe në situatën ku jemi ne, duke bërë përpjekje për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës ,mendoj që edhe këto dy ndeshje janë në vazhdën e përpjekjeve të Federatës së Futbollit të Kosovës për të arritur qëllimin final, që është pranimi në instancat ndërkombëtare” tha ish lojtari i Fenerbahçes dhe sot kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri.
Lidhur me anën sportive të duelit, përzgjedhësi Albert Bunjaku tha se testi i ri për përfaqësuesen e Kosovës, reprezentacioni i Omanit është një kombëtare serioze e cila luan mbrojtje të mirë dhe e cila ka arritur rezultate pozitive kohëve të fundit.
“Ka një mbrojtje shumë të mirë dhe disiplinë. Kjo dëshmon edhe fakti se në shumë lojë nuk ka pësuar shumë gola. Do të jetë një sfidë shumë interesante. Për herë të parë po luhet në Prishtinë, andaj besoj dhe pres një stadium të mbushur dhe me një përkrahje të madhe sepse kemi nevojë për atë përkrahje . Ne do të mundohemi me e dhënë maksimumin” tha selektori Bunjaku.
Në fund, ai shpalosi edhe 19 lojtarët të cilët do të paraqiten të dielën për Kosovën dhe këta janë:
Portierët:
Samir Ujkani – Palermo
Ilir Avdyli – Hajvalia
Betim Berisha – Liria
Mbrojtës:
Leart Paçarada – Sandhausen
Shkodran Metaj – Flamurtari (Vlorë)
Ilir Berisha – Orebroo
Avni Pepa – Sandnes Ulf
Loret Sadiku – Mersin
Fanol Perdedaj – Energie Cotbus
Mesfushor:
Ardian Gashi – Odd
Anel Rashkaj – Sandnes Ulf
Enis Bunjaku – Eintracht Frankfurt
Imran Bunjaku – Grasshopers
Kristian Nushi – St.Gallen
Flamur Kastrati – Stromgodset
Mentor Zhdrella – FC Prishtina
Sulmues
Bersant Celina – Manchester City
Kushtrim Lushtaku – Kukës
Dardan Rexhepi – Brommjpokarna
Shpëtim Hasani – Gornik
Para kësaj ndeshjeje, Kosova ka zhvilluar tri ndeshje miqësore ndërkombëtare. Në duelin e parë me Haitin, Kosova luajti baraz pa gola (0:0), kurse duelin e dytë e humbi nga Turqia me rezultat të lartë 1:6. Ndërkohë, me Senegalin , Kosova u takua në Gjenevë dhe pësoi me rezultat 1:3.
Kështu, pas tre rivalëve nga tri kontinente të ndryshme, ai amerikan, evropian dhe afrikan, rivali i katërt do të jetë nga Azia.
Kombëtarja e futbollit e Omanit është e renditur e 67-ta në ranglistën botërore të FIFA-së, kurse në ranglistën e kombëtareve më të suksesshme të Azisë gjendet në pozitën e 7-të, para Australisë dhe Arabisë Saudite, të dyja këto, kombëtare të cilat janë pjesëmarrëse të rregullta në garat e Kupave Botërore, si përfaqësuese të kësaj pjese të planetit. Po ashtu, është interesant të thuhet se rivali i radhës i Kosovës, udhëhiqet nga ish trajneri i Lyon-it dhe PSG-së, selektori Paul le Guen.
Kombëtarja e Omanit, ndeshjen e fundit e luajti mbrëmë, kundër Republikës Irlandës dhe pësoi me rezultat 0:2.
Paraprakisht , më 7 gusht ka zhvilluar ndeshje miqësore me skuadrën e elitës së futbollit francez, Guingamp, duek pësuar me rezultat 2:1, por nuk ka pësuar humbje tjetër prej shtatorit të vitit 2013. Atëbotë, në Londër, Omani pësoi disfatë nga skuadra angleze Crystal Palace (0:2).
Kur bëhet fjalë për duelet me kombëtaret tjera, duhet thënë se Omani disfatën e fundit e kishte në qershor të vitit 2013 nga Jordania (1:0). Prej asaj disfate, Omani ka zhvilluar a 10 ndeshje duke sënuar 4 fitore dhe 6 barazime, pa humbje dhe duke pësuar një gol të vetëm.
Nga këto duele duhet veçuar barazimin me Finlandën (0:0) dhe dy fitoret me Uzbekistanin (1:0, 1:0) brenda tre ditëve, më 27 dhe 29 Maj 2014.
Po ashtu, sa i përket rezultateve të shënuara vitin e kaluar, duhet potencuar edhe fitoren bindëse kundër rivalit të parë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Haitit, me rezultat 3:0, fitoren kundër Kinës me 1:0 dhe barazimin në përballje me Australinë (2:2).
Pra, dueli i radhës i Kosovës në arenën ndërkombëtare do të jetë me Omanin, më 7 shtator në orën 16.00, në stadiumin e qytetit në Prishtinë.