Hüseyin Burak Demirer
11 Gusht 2021•Përditësim: 11 Gusht 2021
Klubi i Ligës së Parë të Futbollit të Francës (Ligue 1), Paris Saint-Germanin (PSG), ka prezantuar me mediat transferimin e ri, argjentinasin Lionel Messi, raporton Anadolu Agency (AA).
Tifozët disa orë para konferencës për media e stërmbushën hapësirën pranë stadiumit Parc des Princes në kryeqytetin e Francës, Paris.
Ylli argjentinas në sallën e konferencës erdhi bashkë me familjen e tij, ndërsa doli para kamerave bashkë me kryetarin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi.
Messi i cili pas 21 vitesh në Barcelonë, përfshirë edhe akademinë e klubit, do të veshë fanellën e një klubi tjetër tha se:
"Ishte vështirë për mua të ndahem nga Barcelona. Por jam i lumtur nga momenti kur erdha në Paris. Bisedimet u zhvilluan shumë shpejt. Njihemi me trajnerin Mauricio Pochettino. Gjithashtu Di Maria, Parades, Neymar janë me të cilët bisedoj gjithmonë. Sigurisht që prania e tyre ishte efektive në vendimin tim. Falënderoj kryetarin dhe klubin për interesin që treguan ndaj meje".
Ai tha se për shkak të përjetimeve në një javë të fundit është lodhur emocionalisht, por se është i emocionuar për shkak të fillimit të ri. "Dëshira e futbollit tek unë nuk u ndal. Dua që të fitoj sa më shumë trofe ashtu si në fillim të karrierës sime. Zgjodha PSG-në pasi duan që në çdo turne të arrijnë në majë. Shpresoj që t'ja arrijmë qëllimit", u shpreh Messi.
Duke komentuar Ligue 1, ylli argjentinas tha se: "Është një organizim që rritet dita ditës. PSG bëri shumë gjëra për ligën. Sipas meje ka një ligë më konkurruese se më parë. Ekipet tjera, forcohen sa më shumë për të përballuar PSG-në. Do të jetë një përvojë e re për mua. Jam i emocionuar për faktin se do të përballem me kundërshtarë të rinj".
Al-Khelaifi: Shpresoj që Messi nuk do të kërkojë më shumë pagë
Ndërkohë, kryetari i klubit PSG, Al-Khelaifi, shprehu kënaqësinë dhe krenarinë për të prezantuar Messi-n. "Është ditë historike për klubin tonë dhe botën e futbollit. Ulem pranë një futbollisti që ka fituar dhjetëra trofe dhe për të cilin besoj që do të fitojë edhe me ne trofe. Leo, është i vetmi futbollisti që ka fituar 6 herë Ballon d'Or. Një magjistar i cili zbukuron futbollin, ka zakon të fitimit", tha kreu i PSG-së.
"Leo do t'i shtojë vlerës së markës sonë dhe ligës shumë gjëra. Shpresoj që nuk do të kërkojë më shumë pagë", shtoi ai.
Messi pas konferencës për media përshëndeti tifozët që e prisnin atë përreth stadiumit.