Dejan Maksimoviç
01 qershor 2017•Përditësim: 02 qershor 2017
MADRID (AA) - Futbollisti portugez Cristiano Ronaldo, një nga lojtarët më të mirë në botë, ka shprehur respekt për rivalin e tij të madh në fushë, Lionel Messi, duke theksuar se kënaqet duke parë se si luan sulmuesi i Barcelonës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ronaldo, i cili më 3 qershor, me ekipin e tij Real Madrid do të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve në Cardiff kundër Juventusit, për mediat argjentinase theksoi se kënaqet duke shikuar lojtarët e mëdhenj, në mesin e tyre dhe Messin.
Pikërisht Ronaldo dhe Messi janë futbollistët që në nëntë vitet e fundit kanë fituar të gjitha "Topat e Artë" çmimi që i ndahet lojtarit më të mirë të botës gjatë 365 ditëve.
"Unë dua të shoh të gjithë lojtarët e mirë, ku Messi është një prej tyre. Edhe ai është një lojtar, apo jo? Me të vërtetë kënaqem kur e shoh atë në fushë, por edhe lojtarët e tjerë të mëdhenj të futbollit", ka thënë Ronaldo.