Ekip
25 Shkurt 2023•Përditësim: 28 Shkurt 2023
Trajneri i Chelsea-t, Graham Potter pretendon se ai dhe familja e tij kanë marrë kërcënime me vdekje për shkak të formës së dobët të ekipit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media të premten përpara ndeshjes së Chelsea-t në Premier Ligë kundër Tottenham-it të dielën, Potter tha se ai ishte shënjestruar nga një e-mail anonim
"Njerëzit kanë këtë perceptim se nuk më intereson - në çfarë bazohet kjo? Si e dini? Mund të pyesni familjen time se si është jeta jonë", tha Potter.
Siç tha ai, i kupton ndjenjat e tifozëve kur klubi i tyre i dashur nuk fiton dhe vuri në dukje disa situata të pakëndshme me të cilat është përballur muajt e fundit.
"Kam marrë disa e-maile jo shumë të këndshme që duan që fëmijët e mi dhe unë të vdesim. Kjo padyshim nuk është një gjë e këndshme për t'u pranuar", tha Potter, duke shtuar:
"Ndonjëherë jeta nuk është e drejtë. Jo se po ankohem për këtë. Por, më pyetni nëse është e vështirë, them se është. Vuan, shqetësohesh. Kur je vetëm me familjen, tregon emocionet e vërteta. Ka gjëra të cilat duhet të merren parasysh, por bota është e vështirë. Ne po kalojmë një krizë energjetike, një krizë të kostos së jetesës. Njerëzit janë në grevë çdo javë. Askush nuk dëshiron të dëgjojë për ndonjë trajner të varfër të vjetër të Premier Ligës".
Chelsea, që po kalon një periudhë të vështirë në Premier Ligën angleze, ishte klubi që shpenzoi më shumë në afatin kalimtar dimëror.
Klubi, të cilin biznesmeni rus Roman Abramovich ia shiti vitin e kaluar një konzorciumi të drejtuar nga Todd Boehly nga SHBA-ja, mori kryesimin mes skuadrave që shpenzuan më shumë në afatin kalimtar të dimrit.
Pasi klubi ndërroi pronarin, Chelsea, i cili nuk mundi të përmbushte pritshmëritë nën drejtimin e Graham Potter-it, "hapi thesin" për të forcuar skuadrën e tyre.
Skuadra londineze, e cila pas xhiros së 23-të të Premier Ligës është në vendin e 10-të me 31 pikë, shpenzoi 329.5 milionë euro për gjithsej 8 transferime dhe huazime.