Zülfiya Yakup
03 Maj 2016•Përditësim: 04 Maj 2016
PRISHTINË (AA) – Nga 3 maj 2016, Kosova është anëtarja më e re e UEFA-s. Federata e Futbollit të Kosovës sot përmes votimit të fshehtë është pranuar në Unionin e Shoqatave Evropiane të Futbollit, (UEFA), raporton Anadolu Agency (AA).
Në Kongresin e 40-të të UEFA-së, që mbahet në Budapest, kryeqytetin e Hungarisë, për pranimin e Kosovës kanë votuar 28 anëtare. Për pranim të anëtareve të reja nevojitej shumicë e thjeshtë apo 28 vota prej gjithsej 54 anëtareve të UEFA-s.
Ndonëse sot nuk është votuar ndryshimi i statutit të UEFA-s, megjithatë është pranuar shqyrtimi i kërkesës për pranimin e Kosovës. Sipas statutit të UEFA-s kusht për pranimin e një federate të re të futbollit është që vendi prej ku vjen të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara.
Amendamenti që ky nen i statutit të ndryshohet, ashtu që për pranim të nevojitet vetëm kushti që vendi është njohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare në kontinentin evropian, sot nuk kaloi. Për ndryshimin e statutit votuan 33 anëtare, që është për tre më pak se shumica e dy të tretave apo 36 vota.
Përfaqësuesi ligjor i UEFA-së para se të vendos kërkesën për pranimin e Kosovës në votim, theksoi se Kosovën tashmë e kanë pranuar shumica e shteteve evropiane dhe botërore.
Duke sqaruar kërkesën që Kosova të pranohet si anëtare e plotfuqishme në UEFA, Fadil Vokrri, president i Federatës së Futbollit të Kosovës theksoi se shumë federata sporti të Kosovës tashmë janë pranuar në organizata ndërkombëtare, si dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Vokrri tha se duhet mbajtur llogari se çfarë mesazhi i dërgohet sportistëve kosovarë.
Ai përmendi edhe Marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë e cila parashikon që këto dy shtete mos pengojnë njëra-tjetrën gjatë anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Pas Vokrrit, në Kongres foli edhe Tomisllav Karaxhiç, presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë i cili kundërshton pranimin e Kosovës në UEFA, sepse sipas tij “Serbia e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë”. Kundërshtime lidhur me pranimin e Kosovës ka pasur edhe përfaqësuesi i Federatës së Futbollit të Zvicrës i cili deklaroi se nuk është korrekte ndaj anëtarëve të UEFA-s dhe zyrtarëve të futbollit kosovar që sot po votohet për pranimin e Kosovës.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, theksoi se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe se ky është një realitet që duhet pranuar.
Pranimi i Kosovës në UEFA paraqet parakusht për pranimin në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) kongresi i të cilit do të mbahet më 13 maj në Mexico City. Anëtarësimi në FIFA i jep Kosovës një mundësi të garojë në kualifikimet për "Botërorin 2018" në Rusi. Nëse pranohet, Kosova do të vendosej në grup me Turqinë, Kroacinë, Islandën, Finlandën dhe Ukrainën.