Beyza Binnur Dönmez
11 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
Pas dështimit në Ligën e Kampionëve, gjiganti i futbollit spanjoll Real Madrid ka njoftuar emërimin e Zinedine Zidanit si trajner të klubit deri më 30 qershor të vitit 2022, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Bordi i drejtorëve të Real Madridit, i cili u takua sot më 11 mars, ka vendosur të përfundoj kontratën që lidh Santiago Solarin me klubin si trajner i ekipit të parë”, njoftoi klubi spanjoll.
Bordi i drejtorëve të klubit po ashtu vendosi të emëroj Zidanin “si trajner të ri të Real Madridit me inkuadrim të menjëhershëm për pjesën e sezonit dhe për tre vitet e ardhshme, deri më 30 qershor 2022”.
"Jam shumë i lumtur për rikthimin në shtëpi, kjo është gjëja më e rëndësishme. Pres me padurim të filloj punën. U largova nga Real Madridi nga shkaku se kisha nevojë për një pushim, ekipi kishte nevojë për një ndryshim, pasi fituam gjithçka. Vendosa të rikthehem pasi më thirri presidenti, dhe meqë këtë klub e dua shumë, jam këtu tani”, u tha Zidane gazetarëve në adresimin e parë për opinionin në Madrid.
Ai theksoi se rikthimi i tij është bërë me qëllim që sërish ta bëjë ekipin më të mirin.
"Të bësh këtë punë, është një përgjegjësi e madhe. Unë kam veshur fanellën me emblemën e Realit. Kam fituar shumë trofe megjithatë jam vetëm njëri nga njerëzit e klubit. Do të bëjmë disa ndryshime për sezonin e ardhshëm, por nuk dua të flas mbi këtë temë tani. Lidhur me këtë, do të diskutoj me presidentin më vonë", shtoi ai.
Zidane theksoi se tani është duke shqyrtuar ndeshjet që kanë mbetur për këtë sezon.
"Para nesh kemi 11 ndeshje dhe dëshirojmë të mbyllim sezonin sa më mirë të jetë e mundur. Do të jap maksimumin që të bëjë ekipin e mirë. Kam pasur shumë oferta nga klubet tjera, por unë dëshiroja vetëm një gjë, të rikthehem në Real Madrid. Kur më thirri Perez, unë mendoja vetëm për një gjë, për kthimin në Real. Nuk mund të refuzoja presidentin Perez dhe Real Madridin", tha Zidane.
Në fund tha se të jesh në stolin e Real Madridit është diçka e veçantë.
Edhe presidenti i klubit, Florentino Perez kishte një adresim për opinionin në të cilin tha se real Madridi është një kampion Evrope në futboll dhe në basketboll, dhe se është një shoqatë e cila gjithmonë përpiqet të jetë më e mira.
"I dashur Zizou, jeni rikthyer që vërteton dashurinë tuaj për Real Madridin. Zidane, ju jeni pjesë e historisë së klubit, ne si tifozë të Realit jemi krenarë me ju", tha Perez.
Me Zidanin në stol për dy vite e gjysëm (2016-2018), Real Madridi fitoi 9 tituj, tre në Ligën e Kampionëve, dy në Kupën Botërore të Klubeve, dy në Superkupën Evropiane, si dhe nga një në Ligën spanjolle dhe Superkupën spanjolle.