Ali Bayaslan
08 Prill 2019•Përditësim: 08 Prill 2019
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, riafirmoi se Bregu Perëndimor i pushtuar është territor që u përket palestinezëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve në Aeroportin Ataturk të Stambollit përpara nisjes për një vizitë zyrtare në Rusi, Erdoğan kritikoi komentet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për aneksimin e vendbanimeve kolone hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar.
"Çdo punë që bën Netanyahu është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar", theksoi presidenti Erdoğan.
"Bregu Perëndimor është absolutisht territor palestinez", shtoi presidenti turk.
Netanyahu ka shkaktuar reagime pasi ditë më parë deklaroi se do të aneksojë vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor nëse fiton zgjedhjet që do të mbahen më 9 prill.
"Bashkëpunimi me Rusinë vazhdon të rritet"
Erdoğan deklaroi bashkëpunimi midis vendit të tij dhe Rusisë vazhdon duke u rritur dhe forcuar.
"Bashkëpunimi me Rusinë vazhdon duke u rritur dhe forcuar. Takimet e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë që e themeluam në vitin 2010 vazhdojnë në të njëjtën mënyrë me një karakter institucional", tha Erdoğan.
Erdoğan theksoi se gjatë takimit me homologun rus Vladimir Putin do të diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
"Udhëtimi pa viza është sigurisht një nga temat që është në axhendën tonë", shtoi ai.
Presidenti turk do të marrë pjesë në takimin e tetë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis dy vendeve. Takimi mbahet çdo vit që nga viti 2010.