Ali Eyvaz
03 tetor 2017•Përditësim: 04 tetor 2017
ANKARA (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se kriza e referendumit të mbajtur në veri të Irakut nga Administrata Rajonale Kurde (ARK) është tentativë për t'i "ngulur thikën" rajonit dhe se nuk do të lejojnë urrejtje në rajon përmes mosmarrëveshjeve etnike dhe sektare, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kriza e referendumit në veri të Irakut është tentativë për t'i ngulur një thikë të re rajonit tonë. Kjo çështje nuk ka të bëjë me të drejtat e kurdëve, por ka të bëjë se a do të bëhemi pjesë e lojës së atyre që duan t'i shtyjnë kurdët, arabët, turkmenët, grupet e tjera dhe shtetet përreth në një grindje dhe konflikt, i cili nuk ka fund. Ne nuk do të lejojmë një greminë të tillë, në të cilën nxitet urrejtje përmes mosmarrëveshjeve etnike dhe sektare", tha Erdoğan, në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).
"Iraku nuk është as vetëm i kurdëve, as vetëm i arabëve e as vetëm i turkmenëve. Iraku është vend në të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja brenda një klime vëllazërore e cila rrjedh nga e kaluara e përbashkët mijëravjeçare e gjithë këtyre komuniteteve", tha Erdoğan, duke shtuar se në të kundërtën, nuk do të mund të vendoset siguria, paqja dhe mirëqenia.
Erdoğan tha se në rajon janë duke ndodhur zhvillime të rëndësishme kritike të cilat do të jenë përcaktues i periudhës në vijim.
"Prej një mijë vitesh, ka pasur përpjekje të panumërta për të na zhdukur në këtë rajon. Siç e shihni, ne si shtet dhe komb ende jemi të qëndrueshëm dhe forca më e rëndësishme në rajon. Ata që na kërcënojnë, ata që na e përgatisin zhdukjen dhe që përpiqen të na ngulin thikën nga mbrapa duke shfrytëzuar periudhat e këtilla të krizave, nuk kanë dhe nuk do të kenë vlerë në këto troje", tha Erdoğan.
"Ne nuk kemi qëllim ta kërcënojmë askënd. Ne me sinqeritet po bëjmë detyrën tonë të paralajmërimit, e kjo është qasje e llojit që mund ta ketë miku ndaj mikut tjetër", shtoi ai.
Ndryshe, votuesit në zonat e kontrolluara nga ARK, përfshirë zonat e kontestuara midis Bagdadit dhe Erbilit, më 25 shtator votuan në një referendum antikushtetues për shkëputje nga Iraku.
Iraku ka refuzuar të njohë rezultatet e referendumit, duke e quajtur atë jolegjitim dhe antikushtetues.
Edhe Turqia ka kundërshtuar referendumin, duke vënë theksin mbi integritetin territorial të Irakut dhe stabilitetin në rajon.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se referendumi do ta shpërqendrojë luftën kundër organizatës terroriste DEASH, e cila ende ka prani në Irak.
Nga ana tjetër, kreu u ARK-së, Mesud Barzani, ka thënë se vota "Po" nuk do të rezultojë në shpallje automatike të pavarësisë, por thjesht do të çojë në negociata të mëtejshme me Bagdadin.