Muhammed Enes Can,Murat Kaya
27 Dhjetor 2016•Përditësim: 27 Dhjetor 2016
STAMBOL (AA) – Prokuroria turke ka dhënë urdhër për arrestimin e të paktën 45 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) për shkak të shfrytëzimit të sistemit të komunikimit “ByLock”, i cili ka qenë kanal i komunikimit të fshehtë mes anëtarëve të organizatës terroriste FETO të cilët janë të infiltruar në institucionet shtetërore dhe publike të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Departamenti i Prokurorisë së Stambollit për Terrorizëm dhe Krim të Organizuar tashmë ka filluar operacionin e dytë me radhë të arrestimit të pjesëtarëve të TSK-së, për të cilët është konfirmuar se kanë shfrytëzuar ByLock.
Urdhëri për arrestim është dhënë për zyrtarët në marinën turke, ndërsa në mesin e tyre gjendet edhe një nënkolonel shtabi, një nënkolonel, 10 majorë shtabi, katër majorë, gjashtë kapitenë, shtatë togerë të lartë, një toger dhe 15 rreshterë.
Në më shumë qytete turke tashmë ka filluar operacioni paralel i arrestimit, ndërsa prej 45 ushtarëve turq, tashmë janë arrestuar shtatë prej tyre. Ndryshe, bëhet fjalë për operacionin e dytë të arrestimit të pjesëtarëve të ushtrisë turke të cilët kanë përdorur mjete të fshehta për komunikim ByLock. Gjatë të parit u dha urdhër për arrestimin e 530 ushtarëve, prej të cilëve 320 u arrestuan.
"ByLock" është sistem i komunikimit të shifruar të cilin e kanë shfrytëzuar anëtarët e organizatës terroriste FETO të cilin e udhëheq Fetullah Gylen, e cila është përgjegjëse për tentimin e dështuar të përgjakshëm për grusht shtet në Turqi më 15 korrik të këtij viti.
Përmes këtij kanali, udhëheqësia e FETO-s anëtarëve të saj u ka dërguar urdhëra dhe udhëzime për aktivitete terroriste me të cilat kjo organizatë dëmton sistemin dhe shtetin në Turqi.