Sorwar Alam
26 Dhjetor 2016•Përditësim: 26 Dhjetor 2016
ANKARA (AA) – Forcat turke të sigurisë vazhdojnë operacionet kundër terrorizmit, ndërsa gjatë shtatë ditëve të fundit policia në mbarë vendin ka arrestuar gjithsej 1.682 persona të dyshuar për lidhje me organizata terroriste, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Brendshme e Turqisë njoftoi se në mesin e të arrestuarve gjenden 1.096 të dyshuar për anëtarësim në organizatën terroriste FETO, 508 të dyshuar për anëtarësim në organizatën terroriste PKK/KCK, dhe 78 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste DEASH.
FETO është organizatë terroriste të cilën e udhëheq Fetullah Gulen, që akuzohet për aktivitet disadekadësh terrorist, përfshirë edhe tentativën e dështuar të grusht shtetit në muajin korrik në Turqi.
Deri tani prej 1.096 personave të arrestuar të dyshuar për anëtarësim në FETO, paraburgim është caktuar për 426 persona. Në njoftimin e MPB-së thuhet se policia turke ka kryer gjithsej 220 kontrolle të objekteve në kuadër të hetimeve të aktiviteteve terroriste të PKK-së.
Gjatë këtyre operacioneve policia ka vrarë së paku katër pjesëtarë të organizatës terroriste PKK të cilët kanë hapur zjarr ndaj patrullave policore.
Po ashtu janë zbuluar dhe neutralizuar shumë strehimore dhe depo eksplozivësh të PKK-së. Gjatë aksionit anti-terrorist të javës së kaluar policia turke nga liria ka privuar edhe 78 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste DEASH. Për së paku 12 prej tyre tashmë është lëshuar urdhër për mbajtje në paraburgim.
Paralelisht me këtë, forcat turke të sigurisë ndaluan edhe 1.960 migrantë gjatë tentativës për të kaluar ilegalisht kufirin turk. Së paku 29 persona janë arrestuar nën dyshimin se janë të lidhur me zinxhirin e trafikimit të migrantëve nga Turqia në Greqi.