Arif Yakıcı
30 tetor 2017•Përditësim: 31 tetor 2017
STAMBOLL (AA) - Policia e Stambollit nga 15 gushti i vitit 2016 deri më 30 tetor të vitit 2017 në 136 operacione kundër organizatës terroriste DEASH ka arrestuar 968 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipet e luftës kundër terrorizmit në Policinë e Stambollit vazhdojnë aktivitetet dhe operacionet për parandalimin e akteve terroriste. Në aksionet e këtyre ekipeve janë neutralizuar edhe persona që me armë kanë bërë rezistencë ndaj pjesëtarëve të forcave të sigurisë. Përveç kësaj, 96 persona të arrestuar në këto aksione, për të cilët kërkoheshin për vepra të tjera penale, u janë dorëzuar organeve kompetente.
Grupi për vlerësimin e rrezikut nga 15 gushti i vitit 2016 deri më 15 gusht të vitit 2017 në aeroportet Ataturk dhe Sabiha Gokcen, si dhe në stacionet kryesore të autobusëve, ka kontrolluar një numër të madh të personave, me qëllim të arrestimit "të të huajve që luftojnë në anën e terroristëve".
Në këtë mënyrë në aeroportin Ataturk janë kontrolluar 14.555 persona, në aeroportin Sabiha Gokcen 13.053, në stacionet e autobusëve 15.442 pasagjerë të dyshimtë. Pas kontrollit 940 persona janë deportuar.
Ekipet për luftë kundër terrorizmit me arrestimin e pjesëtarëve të organizatës terroriste DEASH penguan edhe disa sulme terroriste.
Forcat e sigurisë në lagjen Bayrampasa të Stambollit më 28 tetor të vitit 2017 arrestuan katër pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH, prej tyre dy gra, në automjetin e të cilëve është gjetur eksploziv me telekomandë.
Është kryer operacion në disa lokacione, ku kanë banuar terroristët për të cilët dyshohej se kishin planifikuar të kryenin sulm gjatë festimeve me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë. Gjatë aksioneve janë konfiskuar 29 bombola gazi, sasi e madhe e nitrat ammoniumit dhe materiale tjera që përdoren për ndërtimin e mjeteve shpërthyese.
Ekipet më 10 shtator të vitit 2017 në tre adresa në dy distrikte kryen aksion kundër pjesëtarëve të DEASH-it, ku u arrestuan 25 persona, në mesin e tyre edhe tre persona për të cilët konsiderohet se urdhëruan dhe planifikuan sulme të caktuara të organizatës në fjalë.
Në aksionin e kryer në lagjen Sancaktepe më 20 nëntor të vitit 2016 është arrestuar një pjesëtar i DEASH-it i cili përgatiste sulm.
Në Gungoren më 27 gusht të vitit 2016 është arrestuar H.B i cili përgatiste sulm ndaj, mes tjerash, godinës së partisë politike Vatan dhe post-bllokut policor në rrugën Istiklal.
Në Pendik më 17 shtator të vitit 2016 janë arrestuar katër shtetas të Taxhikistanit të cilët planifikonin që në emër të organizatës terroriste DEASH të kryejnë sulm ndaj bazës së NATO-s në Adana dhe Konya.