Diyar Güldoğan
05 Tetor 2017•Përditësim: 05 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan më 9 tetor do të qëndrojë në vizitë një ditore në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur kabineti i presidentit të Turqisë, Erdoğan dhe homologu i tij ukrainas Petro Poroshenko do të kryesojnë takimin e gjashtë të Këshillit të Lartë Strategjik Turqi- Ukrainë.
Më tej thuhet se dy liderët në takimin e tyre në Kiev, do të shkëmbejnë pikëpamjet për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet tjera rajonale, ndërkohë që pritet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve.
Gjatë qëndrimit, Erdoğan do të takojë edhe kreun e Parlamentit, Andriy Parubiy dhe kryeministrin Volodymyr Groysman, por edhe përfaqësuesit e komuniteteve turke me të cilët do të diskutojë çështjen e Krimesë.
Ukraina është e përfshirë në një konflikt si rrjedhojë e aneksimit të Krimesë nga Rusia në mars të vitit 2014.
OKB-ja bërë të ditur se që nga fillimi i përleshjeve mes separatistëve pro-rusë dhe trupave ukrainase e deri më tani 10 mijë e 225 persona kanë humbur jetën ndërsa 24 mijë e 541 persona janë plagosur.