Hakan Mehmet Şahin
26 Shkurt 2019•Përditësim: 27 Shkurt 2019
Qyteti Elbasan dhe ai Edirne i Turqisë kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi për zhvillimin e ndërsjellë të aktiviteteve arsimore, kulturore, sportive dhe tregtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja, bashkë me një delegacion kanë realizuar një takim me prefektin e qytetit Edirne, Ekrem Canalp.
Në takim janë shkëmbyer pikëpamjet mbi rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe është nënshkruar edhe protokolli i bashkëpunimit.
Prefekti i qytetit Edirne, Canalp, në fjalimin pas ceremonisë së nënshkrimit të protokollit, tërhoqi vëmendjen në atë se Shqipëria dhe Turqia kanë një të kaluar të përbashkët.
"Shqipëria për ne është një e kaluar e përbashkët. Me prefektin e Elbasanit dhe delegacionin biseduam çështje të përbashkëta. Ky protokoll bashkëpunimi është i natyrës që do të hap rrugën për zhvillime të reja në fushën e kulturës dhe arsimit", tha ai.
Ndërsa Llatja shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e protokollit të bashkëpunimit me qytetin Edirne, që ka një histori të thellë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të protokollit morën pjesë edhe zyrtarë të tjerë të të dyja qyteteve.