Sena Güler
16 janar 2020•Përditësim: 17 janar 2020
Zv/drejtori dhe njëherësh kryeredaktori i Anadolu Agency (AA), Metin Mutanoğlu tha se kanë marrë informacione se stafi i tyre, i arrestuar në një bastisje të policisë në Zyrën në Kajro, ishte marrë në pyetje nga prokurorët egjiptianë.
"Tani, ne morëm lajmin se kolegët tanë janë duke u hetuar nga Zyra e Prokurorisë në Egjipt", tha Metin Mutanoğlu mbrëmë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt të transmetuesit publik të Turqisë TRT.
Të martën vonë, policia egjiptiane kreu bastisje në Zyrën e AA-së në Kajro dhe arrestoi 4 punonjësit e saj. Anëtarët e stafit, përfshirë një shtetas turk, u dërguan në një vend të panjohur.
Turqia dënoi ashpër këtë veprim dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarëve.
Mutanoğlu, duke u bazuar në informacionin që mori nga Ministria e Punëve të Brendshme të Egjiptit, tha se agjencia zyrtare e lajmeve e Egjiptit akuzoi AA-në dhe punonjësit e saj për raportimin e lajmeve të rreme dhe se punojnë kundër interesave të Egjiptit.
"Ne e kuptojmë se ata kanë arrestuar kolegët tanë me pretendime të pakuptimta. Ky është një zhvillim i ri", tha ai, duke përmendur se autoritetet egjiptiane nuk janë përgjigjur në asnjërën prej nismave të Ministrisë së Jashtme pas bastisjes.
"Sipas kësaj deklarate të re, ata dhanë një sqarim se hetimi po kryhet me një pretendim se AA është kundër interesave kombëtare të Egjiptit dhe se ajo paraqet një imazh të keq për Egjiptin jashtë vendit", tha Mutanoğlu.
Ai thai se Egjipti ka bërë të njëjtën gjë me mediat që dëshironte t'i heshtë, duke shtuar se Egjipti ka mbyllur shumë media lokale dhe të huaja.
"Ata po na bëjnë neve të njëjtë gjë", tha ai.
Mutanoğlu theksoi se AA është një agjenci lajmesh shumë prestigjioze në botën arabe dhe shtoi: "AA është e njohur për paanshmërinë e saj. Është e njohur për përmbajtjen e thellë në lajmet e saj. Është e njohur se i bën të flasin të gjitha palët".
Ai gjithashtu theksoi se Presidenca e Egjiptit ka qenë parapaguese e AA-së deri para disa viteve.
"Ky është një informacion i rëndësishëm", tha Mutanoğlu, duke shtuar se AA nuk merret me interesat e Egjiptit.
"Ne jemi media dhe kuptohet, kemi për obligim që të raportojmë për ngjarjet që ndodhin atje ashtu siç janë", tha ai.
Administrata e Egjiptit asnjëherë nuk e aprovoi akreditimin
Duke folur për pretendimet e mungesës së dokumenteve, Mutanoğlu rikujtoi se presidenti i parë i zgjedhur i Egjiptit, Mohamed Morsi, u largua nga pushteti në një grusht shteti dhe ndërroi jetë vitin e kaluar gjatë procesit gjyqësor me akuzat për "spiunazh".
"Ne jemi një institucion i cili gjithmonë ka mbajtur dokumente të plota dhe jemi akredituar deri në vitin 2013 (kur ndodhi grusht shteti ushtarak)", tha ai, duke shtuar se aplikimet e tyre gjenden në administratën egjiptiane, por ato as nuk janë refuzuar dhe as nuk janë pranuar.
"Ata thonë 'ju mund të punoni', por nuk e zyrtarizojnë atë dhe e lënë ashtu", tha ai duke shtuar se zyra e agjencisë ka punuar atje për 8 vjet dhe çdo vit plotëson të gjitha dokumentet e nevojshme.
"Administrata e Egjiptit asnjëherë nuk na është drejtuar për akreditim. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ne, ata e bëjnë këtë kundër të gjitha mediave të huaja", theksoi ai.
Mutanoğlu tha se para dy viteve, AA i ofroi agjencisë së lajmeve të Egjiptit që të bashkëpunojnë dhe të punojnë për zhvillimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve Egjipt-Turqi dhe se oferta është mirëpritur.
Ai theksoi se sot ekziston një administratë puçiste në Egjipt që hesht të gjithë zërat që flasin kundër saj.
"Prandaj, fakti që ata nuk na dhanë licencë, në këtë kuptim, nuk e pengon punën tonë", tha ai, duke shtuar se AA i paguan taksat Egjiptit pa asnjë vonesë, si dhe taksat e punëtorëve.
Mutanoğlu gjithashtu tha se nuk ka asnjë problem në lidhje me dokumentet dhe se AA gjithmonë paraqet aplikimet e saj.
"Por, ata janë kundër AA-së dhe të gjitha mediave të tjera të huaja që nga dita e grusht shtetit", theksoi ai.