Në rrethinën Avanos të Nevsehirit, e cila dallohet për bukuritë natyrore dhe kulturore, shëtitjet me gondola në lumin Kizilirmak u ofrojnë vizitorëve që vijnë në rajon një përvojë ndryshe
Behçet Alkan
15 gusht 2026•Përditësim: 15 gusht 2026
photo: Behçet Alkan / AA
Nevsehir
Në rrethinën Avanos të Nevsehirit, e cila dallohet për bukuritë natyrore dhe kulturore, shëtitjet me gondola në lumin Kizilirmak u ofrojnë vizitorëve që vijnë në rajon një përvojë ndryshe.
Shëtitjet me gondola, të cilat janë një alternativë ndaj tureve me kuaj dhe automjete mes oxhaqeve të zanave dhe atyre me balona me ajër të nxehtë në Kapadokia, e cila është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tërheqin vëmendjen e atyre që preferojnë të shijojnë natyrën e gjelbër.
Turet në lumin Këzëllërmak, i cili kalon mes dy brigjeve të Avanosit, zhvillohen përreth Urës së Harkuar historike, e njohur si "ura lëkundëse", një prej simboleve të rrethit.
Gondolat, të cilat lundrojnë në grupe prej 6 personash në ujërat e qeta të lumit, u ofrojnë vizitorëve një përvojë ndryshe.
"Në Avanos, Venediku i rajonit, marrin pjesë në shëtitjet me gondola"
Ali Sariyurek, përgjegjës i kompanisë së tureve, tha për Anadolu se gondolat janë bërë pjesë e identitetit turistik të rrethit, i cili është i ndërthurur me lumin Këzëllërmak.
Duke shprehur se pamjet e krijuara gjatë turit u sjellin vizitorëve frymëzime nga qyteti i Venedikut në Itali, i njohur për kanalet dhe gondolat e tij, ai tha:
"Kemi 10 gondola dhe 2 skafe me motor. Turet zhvillohen me nga 6 persona ndërsa për ata që kanë kërkesa të veçanta mund të organizojmë edhe ture për 2 ose 4 persona. Oxhaqet e zanave tërheqin veçanërisht vëmendjen e atyre që vijnë në rajon. Ata marrin pjesë në turet me balona. Kur vijnë në pjesën e Avanosit, marrin pjesë edhe në shëtitjet me gondola këtu, si në Venedikun e rajonit. I shëtisim vizitorët për 15 minuta, duke kaluar poshtë Urës së Harkuar dhe në pika të tjera".
"Kjo është një kënaqësi më vete, një bukuri e madhe"
Necdet Endar, një prej pjesëmarrësve në tur, tha se së bashku me familjen kishte vizituar qendrat turistike në Kapadokia.
Duke shprehur se i pëlqeu turi me gondola, në të cilin mori pjesë me rekomandim, Endar tha: "Mund ta quajmë këtë vend 'Venediku i Turqisë'. Njeriu ndihet i çliruar. Mësova për këtë tur kur erdhëm për të vizituar. Fëmijëve u pëlqeu shumë dhe duan të hipin përsëri".
Mehmet Aras tha se gondolat i japin ngjyrë peizazhit.
Gondolat që lundrojnë mbi lumë ofrojnë pamje shumëngjyrëshe, veçanërisht për vizitorët që fotografojnë dhe realizojnë video.