Kristina Maslareviç
30 Nëntor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
BEOGRAD (AA) - Që nga hyrja e saj, Serbia është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, tha kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviç në hapjen e seancës së 48-të plenare të organizatës, raporton Anadolu Agency (AA).
"Nga kjo ne ofrojmë një kontribut të fuqishëm në zhvillimin e stabilitetit në rajon, zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, avancimin dhe krijimin e një klimë të favorshme ekonomike dhe politike për bashkëpunim në rajonin tonë. Prandaj, Serbia angazhohet për forcimin e bashkëpunimit rajonal, forcimin e pozitës ndërkombëtare të organizatës sonë si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik përmes aktualizimit të projekteve të reja dhe ekzistuese", tha Gojkoviç.
Gojkoviç tha se temat kryesore të takimit të sotëm janë reformat në shtetet anëtare të AP të Bashkëpunimit të Detit të Zi dhe roli i parlamenteve në to, investimet ndërkombëtare, roli i fesë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit si dhe roli i arsimit në shtetet anëtare.
Kryetari i AP të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, Ivica Daçiç dhe njëherit ministri i Jashtëm i Serbisë, tha se është kënaqësi e madhe që Beogradi nga qershori i këtij viti është qendër e aktiviteteve të bashkëpunimit të Detit të Zi, duke shtuar se organizata sipas kompetencave të saj është një organizatë komplekse ndërkombëtare, e cila mbulon sfera të shumta ekonomike dhe sociale të shteteve anëtare.
"I gjithë ky kompleksitet bashkohet në një qëllim fisnik, dhe ky është forcimi i paqes, stabilitetit dhe sigurisë, për të mirën e përbashkët të rajonit të Detit të Zi. Organizata ka njohur rrugën e vërtetë drejt këtij qëllimi, me të cilin sigurohen kushtet për marrëdhënie institucionale ndërmjet vendeve tona përmes bashkëpunimit në fushat si ekonomia, lufta kundër krimit të organizuar, kujdesi shëndetësor dhe farmaceutik, bashkëpunimi në rastet e fatkeqësive natyrore, shkencës dhe teknologjisë, komunikimit dhe edukimit", tha Daçiç.
Në seancën plenare në Beograd, në hotelin Metropol Palas, të pranishme janë delegacionet e Serbisë, Shqipërisë, Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Moldavisë, Rusisë dhe Ukrainës, me përjashtim të Gjeorgjisë, e cila është në procesin paszgjedhor.
Kryesimin e Asamblesë së Bashkëpunimit të Detit të Zi nga Serbia do të marrë Turqia. Kryetari i Delegacionit të Turqisë dhe anëtar i Kuvendit të Madh të Turqisë, Ramazan Can në një deklaratë për gazetarët tha se për ta kjo ngjarje është shumë e rëndësishme pikërisht për faktin e marrjes së kryesimit.
"Ne do të kemi takime në Stamboll, kemi projekte të cilat do të bëjnë jehonë dhe të cilat ofrojnë disa mundësi për shtetet anëtare. Seancat plenare janë lokomotivë e çdo ekonomie, që për ne janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar projekte dhe të jemi pjesëmarrës të këtyre projekteve të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ekonomive", tha Can.
Duke folur për vendimin e Parlamentit Evropian për të pezulluar negociatat me Turqinë për anëtarësim në BE, Can tha se Turqia dhe BE-ja nuk kanë asnjë problem kur është fjala për ekonominë dhe në fushën e ligjit, por se ka dallime në çështjet e refugjatëve nga Siria dhe Iraku.
"Bashkimi Evropian ka bërë shumë premtime, por asnjë fjalë nuk e ka mbajtur, ndërsa ne në tre vitet e kaluara jemi kujdesur dhe kemi ushqyer shumë refugjatë. Presim që BE-ja të përmbushë fjalët e dhëna, sepse ne në vitet e kaluar kemi mbajtur çdo fjalë të dhënë BE-së", shtoi Can.