Senada Ibraimova
30 Nëntor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
SHKUP (АА) – Qyteti i Shkupit, sot, për herë të 18-të shënoi Ditën e drurit nën moton “Dita e drurit, mbjell ardhmërinë tënde”, me aksion duke mbjell drunj në parkun e komunës së Aerodromit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski në deklaratën e tij tha se në vazhdimësi po pyllëzohet në dhjetë komuna, ndërsa në komunën e Aerodromit deri në pranverë do të mbillen gjithsej 50 mijë drunj, ndërsa në pjesën urbane të qytetit, 256 mijë drunj.
Ai shtoi se Qyteti i SHkupit në këtë aksion merr pjesë me 10-12 mijë fidanë, ndërsa pjesën tjetër të fidanëve e siguron ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë”.
“Kontribuojmë për rritjen e gjelbërimit në qytetin e Shkupit dhe në Republikën e Maqedonisë. Qyteti i Shkupit në mënyrë permanente punon në ngritjen e sipërfaqeve të gjelbra, ndërsa po ashtu edhe në ditët e pranverës dhe vjeshtës mbillen drunj përgjatë bulevardeve të Qytetit të Shkupit dhe në parqe”, tha Trajanovski.
Drejtori i “Pyjeve të Maqedonisë”, Zharko Karaxhovski theksoi se momentalisht po mbillet në 165 lokacione, ndërsa theksi është vënë në mjediset urbane dhe në qarkoren e Shkupit, ku është në plan që të mbillen 650 mijë prej gjithsej një milion fidanë, që i siguron ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë”.
Ai shtoi se në lokacionet tjera në nivel të Republikës së Maqedonisë, ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” ka siguruar 2 milionë e 600 fidanë dhe theksoi: “Të gjithë fidanët i siguron 'Pyjet e Maqedonisë' nga prodhimi i saj i rregullt, do të thotë nuk ka furnizim publik, ky është prodhimi ynë”.
Aksioni “Dita e drurit – mbjell ardhmërinë tënde” filloi në vitin 2008 dhe në katër vitet e para, deri në vitin 2011, u zbatua në sezone, në pranverë dhe në vjeshtë.
Në pesë vitet e fundit, pyllëzimi bëhet vetëm në vjeshtë. Në 16 aksionet e deritanishme janë pyllëzuar pothuajse 13.000 hektarë me mbi 35 milionë fidanë.