Besar Ademi
16 Janar 2017•Përditësim: 17 Janar 2017
SHKUP (AA) – Në hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) u mbajt konferenca e titulluar “Arbitrazhi si mënyrë e shpejtë dhe efikase e zgjidhjes së kontesteve mes subjekteve afariste”, në të cilën u promovua puna e Gjykatës së zgjedhur të përhershme – Arbitrazhi pranë OEM-it si dhe mundësitë dhe rëndësia e këtij instititucioni, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Gjykatës së zgjedhur të përhershme – Arbitrazhi, Goran Rafajllvoski, deklaroi se Gjykata e Maqedonisë është e mbingarkuar dhe për këtë arsye nuk është e kënaqshme për ekonominë, prandaj siç tha ai, gjykata alternative Arbitrazhi do të kontribuojë në rritjen e nivelit, cilësisë dhe shpejtësisë, të cilat janë bazë për çdo sipërmarrës në zgjidhjet e kontesteve.
“Të dhënat tona tregojnë se ecim përpara dhe në mënyrë serioze, ndërsa të dhënat e vendeve tona fqinje tregojnë se ekziston një mundësi e madhe të arrijmë shumë më tepër. Nëse përmend Rumaninë që zhvillohet me hapa të pabesueshme, ajo tashmë zgjidh 1.600 konteste të arbitrazhit brenda një viti, që do të thotë përgjysmë ndajnë çështjet me gjykatën shtetërore. Mirëpo, dëshira jonë primare është të merremi me 10 përqind të kontesteve që dalin nga gjykata shtetërore, që do të thotë nëse në vendin tonë dalin rreth 700 konteste, 70 prej tyre t’i zgjidhim në Gjykatën e zgjedhur të përhershme, Arbitrazhi”, deklaroi Rafajllovski.
Siç bëri të ditur Rafajllovski, gjatë vitit 2016 Gjykata e Arbitrazhit ka patur dhjetë raste të kontesteve mes subjekteve afariste, prej të cilave tetë tashmë janë zgjidhur, ndërsa në dy raste procesi është në vazhdim. Ai shtoi se zgjidhje e kontesteve zgjatprej 6 deri në 9 muaj dhe zbatohet në përputhje me rregullat dhe normat ligjore, që njihen nga të gjitha arbitrazhet në botë dhe në Maqedoni.
Gjykata e zgjedhur e përhershme – Arbitrazhi pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, është një organ i pavarur i themeluar në bazë të Ligjit për Odat Ekonomike dhe Statutit të Odës Ekonomiek të Maqedonisë. Ky instititucion është përgjegjës për zgjidhjen e konflikteve afariste mes anëtarëve të Odës Ekonomike, anëtarëve të Odës dhe persoanve të tretë si dhe mes personave juridik të tjerë nga vendi dhe jashtë vendit, nëse palët dakordohen për kompetencat e kësaj gjykate.
Si institucion përgjegjës për arbitrimin e mosmarrëveshjeve të brendshme dhe mosmarrëveshjeve me element ndërkombëtar, Gjykata e zgjedhur e përhershme – Arbitrazhi, funksionon që nga viti 1993. Vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare dhe kanë fuqi me aktgjykim të plotëfuqishëm, si dhe sjell vendimet në mënyrë më të shpejtë në krahasim me procedurën në Gjykatën e rregullt shtetërore.
Ndryshe, Arbitrazhi pranë OEM-it ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim me Arbitrazhet pranë Odave Ekonomike të Sllovenisë, Kroacisë, Bullgarisë, Ukrainës, Federatës Ruse, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës.