Sibel Vezaj
16 Janar 2017•Përditësim: 16 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot mbajti mbledhjen e radhës me kryetarët e grupeve parlamentare, ku u vendos që interpelanca e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, i mbështetur edhe nga 14 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën e krijuar në Mitrovicë, pas ndërtimit të murit në veri, të mbahet javën e ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Të enjten fillon sesioni pranveror parlamentar i Kuvendit të Kosovës. Këtë e bëri të ditur, kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili pas mbledhjes së kryesisë, në një deklaratë për media tha se në këtë sesion do t'i realizojnë objektivat për përmirësimin e qytetarëve të Kosovës. Ai foli edhe për ngjarjet e fundit në vend, sidomos për trenin e nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, për të cilin theksoi se ky rast ka qenë një provokim artificial nga ana e Qeverisë së Beogradit.
"Qytetarët tanë duhet të kenë besim të plotë tek institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të kenë besim të fuqishëm tek sovraniteti i RKS-së. Nuk do të lejojmë asnjë provokim, trena me vizatime nuk ka nevojë, ka nevojë për transport të qytetarëve të cilët promovojnë lëvizje të lirë", tha Veseli.
Ai vuri theksin në atë se RKS nuk ka asnjë varshmëri nga Republika e Serbisë dhe shprehu dëshirën që Lista Serbe të kthehet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës, duke vënë në dukje se ata mund të japin një kontribut të madh në punën e këtij institucioni. Por, Veseli shtoi se diskriminimi pozitiv për komunitetet nuk duhet të shkaktojë diskriminim negativ për komunitetet tjera, sidomos kur ka të bëjë me votimet ku kërkohen dy të tretat e votave të komuniteteve.
Kryeparlamentari theksoi që shumë shpejt presin që ta kalojnë edhe transformimin e FSK-së dhe Demarkacionin.
“Demarkacioni e ka dëmtuar shumë fuqinë politike të institucioneve të RKS-së, vetë sovranitetin tonë. Ne duhet t'i përcaktojmë saktësisht kufijtë e sovranitetit tonë në mënyrë që të mos tolerojmë provokime artificiale të cilat ndodhin si çështja e trenit. Ne kemi interes që pasi ta përfundojmë shënimin e kufirit me Malin e Zi, menjëherë ta përfundojmë shënimin e kufirit të sovranitetit me Republikën e Serbisë", tha Veseli.
Ndërkaq, lidhur me murin në veri Veseli tha se ai do të rrënohet pas 31 janarit dhe u bëri thirrje të gjithëve që të kenë besim më shumë tek institucionet shtetërore. Ai theksoi se për këtë çështje kanë komunikim me BE-në, dhe shtoi se komuna e Veriut nuk është në dijeni si është ndërtuar ky mur. "Këtë e ka ndërtuar Qeveria e Beogradit", shtoi ai. Sipas tij, në këtë mënyrë Serbia po tenton ta mbajë peng zhvillimin e Kosovës, duke mbajtur jashtë investitorët.
“Muri është artificial dhe është provokim i Serbisë. Muri do të rrëzohet. Unë thërras qytetarët tanë, le të kenë besim më shumë në shtetin e tyre, për çka kanë sakrifikuar. Le të kenë besim në lidershipin e vet, muri do të rrëzohet për arsye se është provokim dhe promovim i një koncepti i cili është ndarës. Nuk është në interesin e komunitetit serb për lëvizjen e lirë, për bashkëjetesën në RKS“, theksoi Veseli.
Ai tha se politikisht kanë marrëdhënie të mira bilaterale me Serbinë, shkëmbime tregtare dhe lëvizje të lirë, por vuri në dukje se "Serbia ka marrë fund në Kosovë një herë e përgjithshmonë". Së fundmi kryeparlamentari Veseli potencoi se interesi më i madh nacional i Kosovës është që asnjë qytetar i Kosovës, as shqiptarët e as serbët në veri të mos ndihen të kërcënuar.
Ndërkaq, pas takimit shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri tha se qeveria nuk ka rrëzuar apo ka ndërtuar mure dhe vuri në dukje që rrëzimi i murit në veri është kompetencë e komunës. Ai po ashtu theksoi se janë për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami pas mbledhjes njoftoi publikun se në seancën e ardhshme do të mbahet debati parlamentar sipas kërkesës së deputetit Glauk Konjufca, i mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputetë tjerë lidhur me arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ajo po ashtu bëri të ditur se të enjten në rend të ditës do të jetë interpelanca e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje me organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë. Ajo shtoi se votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, është tërhequr përsëri në mungesë të Listës Serbe.
Ndryshe, në seancën e 29 dhjetorit të 2016 të Kuvendit të Kosovës ishte miratuar rezoluta për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës, sipas të cilit rrënimi i këtij muri ilegal pritet të ndodhë brenda muajit janar.