Figen Shaban
24 Prill 2018•Përditësim: 25 Prill 2018
PRISHTINË (AA) - Memorandum i mirëkuptimit është nënshkruar sot ndërmjet Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) si dhe Komunës së Prishtinës, për restaurimin e Hamamit të Madh (Fatihut) në qendër të Prishtinës e cila do të realizohet nga TİKA, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i MKRS-së Veton Firzi pas nënshkrimit të memorandumit tha se memorandumi ka për qëllim restaurimin e Hamamit të Madh dhe rregullimin e oborrit të tij. Ai falënderoi TIKA-n dhe komunën e Prishtinës për ndihmën dhe bashkëpunimin që po e ofrojnë në realizimin e qëllimeve të MKRS-së si bartës i mbrojtjes dhe restaurimit të trashigimisë kulturore.
“Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur që në kuadër të politikave tona programore të trashigimisë kulturore po vazhdojmë bashkëpunimin si me TIKA-n ashtu edhe me Komunën e Prishtinës për ruajtjen dhe konzervimin e objekteve të treshigimisë kulturore në Prishtinë si dhe në mbarë Kosovën”, tha Firzi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se restaurimi i Hamamit të Madh ka qenë një kërkesë e kahmotshme e komunës karshi TIKA-s. Ai shprehu falënderimet për TIKA-n për projektet e shumta që i ka realizuar deri tani në Prishtinë, duke theksuar se
“Restaurimi i Hamamit i cili është në një gjendje që duhet të shpëtohet pasi që kemi sjellë edhe ekspert nga Turqia dhe do të mundohemi që të shpëtojmë cka të mundemi. Sepse një pjesë e tij është dëmtuar me një projekt i cili mendoj se ka qenë i padrejtë i gabueshëm për ndryshimin dhe destinimin e asaj në muze neolostik, por do të duhej të ruhet si objekt i trashigimisë kulturore. Ta kthejmë atë në hapësirë publike e cila do të mund të shfrytëzohet për konferenca, ekspozita dhe të vizitohet si objekt i vjetër”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti foli edhe për Xhaminë e Çarshisë, që do të restaurohet po ashtu nga TIKA, për të cilën tha se është objekti më i rëndësishëm i trashigimisë kulturore në Prishtinë duke potencuar se është xhamia më e vjetër në Ballkan, që mendohet se është ndërtuar në vitin 1392-93. Ai nënvizoi se Komuna e Prishtinës në të kaluarën ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme të mjeteve për restaurimin e kësaj xhamie për të cilën tha se nuk ka arritë që ta përfundoj dhe ka kërkuar ndihmë nga TIKA.
Koordinatori i TIKA-s në Kosovës, Hasan Burak Ceran theksoi se TIKA do të fillojë me restaurimin e disa objekteve të cilat dëmtojnë imazhin e qytetit dhe shkaktojnë probleme në zhvillimin e turizmit kulturorë në Prishtinë.
Duke bërë të ditur se pas restaurimit të Xhamisë së Madhe në vitin 2011 kanë patur kërkesa për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë dhe Hamamit të Madh, Ceran theksoi se në atë kohë nuk ka qenë e mundur realizimi i tyre. Ai tha se brenda vitit do të përfundojë faza e projektimit me qëllim që të fillojë restaurimi duke shtuar se pas projektimit do të llogariten edhe shpenzimet e punës së restaurimit.
“Tani do të fillojmë me punimet në projektimin dhe restaurimin e këtyre objekteve në përputhje me origjinalin e tyre në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës si dhe me ndihmën e ekspertëve nga Instituti Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM). Mendojmë se është mjaft e rëndësishme që këto objekte të jenë sërish pjesë e jetës shoqërore dhe e turizmit kulturorë të Prishtinës”, u shpreh Ceran.