Bojana Stojanovic
24 Prill 2018•Përditësim: 25 Prill 2018
NOVI PAZAR (AA) - Sot në Novi Pazar u hap ekspozita e shigjetarisë turke "Kemankesh", kurse deri më 7 maj, vizitorët do të mund të shohin zhvillimin e harqeve dhe shigjetave në qytetërimin turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti "Kemankesh" u realizuar në bashkëpunim me Fondacionin e Shigjetarisë Turke dhe Institutin Kulturor të Turqisë "Yunus Emre", me qëllim prezantimin e karakterisitkave tradicionale, sportive, historike dhe kulturore të shigjetarisë turke në botë.
Në hapjen e ekspozitës para Këshillit Kombëtar Boshnjak në Novi Pazar, ku është vendosur ekspozita, kryetari i Fondacionit të Shigjetarëve turq Haydar Ali Yıldız theksoi se "me krenari sot jemi këtu duke ndjekur gjurmët e paraardhësve dhe duke bartur mesazhet e paqes dhe prosperitetit dhe për të ndarë vlerat e qytetërimit tonë të përbashkët".
Ai tha se mbajtja e harkut dhe shigjetës paraqet përvetësimin e vlerave të caktuara civilizuese dhe se harku i ngjason gjysmëhënës për të cilën kanë "luftuar gjyshërit tanë"
"Sot ky hark na ka bashkuar të gjithëve përsëri, nën patronazhin e presidentit Erdoğan. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë gjysmëhënën tonë. Le të jetë ky fondacion i shigjetarisë shkaku i vetëdijësimit tonë për qytetërimin e përbashkët", tha Yıldız.
Anëtari i Bordit Drejtues të fondacionit, Bilal Erdoğan, u përcolli banorëve të Novi Pazarit përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, babait të tij, i cili pas vizitës në tetor, i kishte treguar për dashurinë e madhe dhe kujdesin që kishin treguar, duke shtuar se pas kësaj vizite kishin kuptuar se duhet të ndodhen shumë më tepër këtu për banorët e Novi Pazarit.
"Sot jemi këtu vetëm për vllazërinë, vetëm për dashurinë. Te ne është një thënje - larg syve, larg zemrës. Ne sot jemi këtu me ju që të mos mbeteni larg syve dhe shpirtit", tha Bilal Erdoğan.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak, Sulejman Ugljanin, tha se në ekspozitë mund të shihen gjërat që u përkasin bashkarisht, që është një trashëgimi e përbashkët dhe e cila më parë nuk kishte mundësi të shihej.
Ai vlerësoi se aktualisht është arritur niveli më i lartë i bashkëpunimit ndërshtetëror midis Serbisë dhe Turqisë.
Në ekspozitën në Novi Pazar mund të shihen fotografi të harqeve dhe shigjetave të ekspozuara dhe zhvillimi i tyre, ndërsa gjësendet origjinale janë ekspozuar në Beograd.
Në hapje të ekspozitës i pranishëm ishte edhe ambasadori turk në Serbi, Tanju Bilgiç.
Fondacioni i Shigjetarisë, që është edhe organizatori i ekspozitës, u themelua në Sheshin e Shigjetarisë në Stamboll në vitin 2013. Fondacioni, i cili prej atëherë ka regjistruar të gjitha veprimtaritë e rëndësishme në fushën shigjetarisë, në vitin 2016 organizoi një ekspozitë të titulluar "Shigjetaria Turke Kemankesh" në kuadër të Kupës së Katërt Ndërkombëtare Fetih, të realizuar nën përkujdesin e Presidencës Turke.