Fatjon Cuka
06 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
TIRANË (AA) - Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Çështjet e Luftës kundër Trafikimit të Personave në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migrimit (ICMPD) po organizojnë në Tiranë tryezën e diskutimit me temë “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar”, raporton Anadoli Agency(AA).
Në këtë aktivitet zv/ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Elona Gjebrea, u shpreh se projekti “Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar – Faza II” synon të kontribuojë në parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar trans-nacional, veçanërisht lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.
“E dimë shumë mirë që trafikimi nuk është një krim që ndodh vetë brenda një rajoni apo një kufiri të caktuar të një vendi, është një krim trans-nacional. Ndaj ne kërkojmë një qasje më të mirë dhe koordinim të mirë midis të gjitha vendeve. Kërkojmë zbatimin me efektivitet po ashtu të procedurave standarde të veprimit me një vëmendje shtesë për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit apo viktimave të trafikimit në mesin e fëmijëve që lypin, jetojnë në rrugë apo në mesin e flukseve migratore të përziera", u shpreh Gjebrea.
Ajo ka shtuar më tej se "Të gjithë tashmë jemi dëshmitarë të situatës migratore, të asaj situate e cila solli me të vërtetë një turbullim për sa i përket politikave të azilit dhe koordinimit midis vendeve".
Kjo tryezë dy ditore ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve antitrafikim nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Moldavia si dhe ekspertë nga Britania e Madhe dhe Serbia. Sipas organizatorëve qëllimi i saj është për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe përvojave në lidhje me luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Fokusi do të jetë në progresin e arritur nga vendet respektive dhe përvojat e këtyre vendeve lidhur me funksionimin e Mekanizmave Kombëtarë dhe Transnacionalë të Referimit, me një vëmendje për identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit në mesin e fëmijëve që lypin/jetojnë në rrugë, apo në mesin e flukseve migratore të përziera.