Besar Ademi
09 Janar 2019•Përditësim: 10 Janar 2019
SHKUP (AA) - Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, duke iu drejtuar deputetëve në seancën e 75-të, ku ndër të tjera në rend dite përfshihen edhe ndryshimet kushtetuese që janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, ka deklaruar se vendimi pozitiv në Kuvend do të shpie vendin në anëtarësimin e plotë në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).
Deputetëve të Kuvendit, kryeministri Zaev u tha se rëndësia e këtij “vendimi historik” duhet të njihet nga të gjithë. Ai theksoi se vota e tyre është një votë për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO-s për më pak se një vit dhe se vendos vendin në familjen e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa çdo votë kundër, tha ai, "është një votë izolimi dhe e një krize të re politike”.
“Vendimi juaj pozitiv këtu në Kuvend do të shpie flamurin e shtetit tonë në direkun para selisë së NATO-s në Bruksel. Le të ngremë kokën, të ngrihemi mbi ndarjet tona për të parë se si flamuri ynë me krenari valëvitet para NATO-s në Bruksel. Para nesh janë faqet e bardha të së ardhmes sonë”, deklaroi Zaev.
Sipas tij, procesi duhet të përfundojë me ndryshimet në Kushtetutë dhe se ky akt do të jetë kulmi i të gjitha përpjekjeve për të shprehur angazhimin e tyre në gjetjen e një zgjidhjeje.
“Vendimi që qëndron sot para jush thërret që ta shohim vendin tonë si një shtet të familjes evropiane, e cila na pranoi si maqedonas me identitetin dhe krenarinë tonë, së bashku me bashkëqytetarët, vëllezërit dhe motrat tona, shqiptarët, turqit, romët, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të tjerët që jetojnë në Maqedoninë tonë”, theksoi Zaev.

Ndërkohë, para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë disa qytetarë të thirrur nga nisma “Maqedonia bllokon” në shenjë proteste shprehën revoltën e tyre kundër ndryshimeve kushtetuese, me të cilat Maqedonia do të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Midis një grupi të vogël të protestuesve dhe pjesëtarëve të policisë ndodhi një përplasje, pasi përfundoi seanca e cila do të vazhdojë gjatë ditës së nesërme. Grupi i protestuesve u përpoqën të tejkalojnë kordonin policor, pas së cilës policia reagoi.
Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit të kaluar nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë. Zbatimi i marrëveshjes është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndryshe, debati i seancës së sotme kuvendore në Maqedoni është faza e tretë dhe e fundit nga pala maqedonase për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë. Pasi të përfundojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, të cilat duhet të votohen me shumicë prej dy të tretave, përfundon procedura në Maqedoni, ndërsa më pas Greqia me shumicë votash të deputetëve duhet ta ratifikojë marrëveshjen.