Talha Öztürk
18 Prill 2019•Përditësim: 19 Prill 2019
Anadolu Agency (AA) mori çmim nga Forumi i Biznesit të Sarajevës, për mbështetjen dhe kontributin e saj.
AA ka qenë partneri global i komunikimit i forumit për shtatë vitet e fundit.
Hakan Çelik, kryeredaktor i servisit në gjuhën boshnjake, kroate dhe serbe, pranoi çmimin në një ceremoni të mbajtur në bibliotekën historike Vijeçnica në Sarajevë.
Kryebashkiaku i Sarajevës, Abdullah Skaka, në fjalën e tij falënderoi të gjithë për mbështetjen e tyre për zhvillimin dhe promovimin e Bosnjë dhe Herzegovinës.
Amer Bukviç, drejtori ekzekutiv i Bosna Bank International, tha se në forum marrin pjesë më shumë se 2.000 pjesëmarrës nga 50 vende të ndryshme.
Gjithashtu, çmime morën edhe Turkish Airlines, Ziraat Bank dhe Sekib Avdagiç, kryetari i Odës Ekonomike të Stambollit.
Edicioni i dhjetë i forumit u hap të mërkurën, ndërsa Turqia ka luajtur një rol të shquar.
I njohur edhe si "Davosi i Ballkanit", evenimenti fokusohet në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe tërheqjen e investimeve ndërkombëtare në Evropën Juglindore.
Nënpresidenti i Turqisë Fuat Oktay ishte në mesin e folësve të këtij viti.
Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, kryeministri i Malajzisë Mahathir Bin Mohamad dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjës gjithashtu janë pjesë e këtij evenimenti.
Forumi synon të bashkojë rajonin nën një ekonomi të vetme nën sloganin "Një rajon-një ekonomi".
Forumi është mbajtur që nga viti 2010 në bashkëpunim të Bosna Bank International dhe Bankës Islame për Zhvillim me bazë në Xhide.